Fillon trajtimi ndaj qenve endacakë, në Prizren parashihet strehimore
Një prej ankesave më të shpeshta, që komuna e Prizrenit ka pranuar deri më tani nga qytetarët, është problemi me qentë endacakë. Numri i tyre kohëve të fundit është rritur dukshëm, duke paraqitur në disa raste edhe rrezik të madh për qytetarët.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se me iniciativën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ka filluar projekti për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacakë, i cili përfshin gjithë territorin e Kosovës dhe do të zgjas gjatë gjithë vitit.
“Për këtë projekt do të kujdesen gjashtë kompani të ndryshme për rajonin e Prizrenit dhe komunat përreth, buxheti i të cilit është 67,500.00 € dhe parasheh zënien e qenve, mjekimin, kastrimin, sterilizimin dhe në raste të veçanta edhe ofrimin e shërbimeve të tjera shtesë, në përputhje me ligjin për përkujdesjen e kafshëve”, ka njoftuar zyra e kryetarit.
Pasi që këto shërbime do të financohen nga niveli qendror, Komuna do të kujdeset për ndërtimin e një strehimoreje, për të cilën tashmë ka filluar të shikohet një vend i përshtatshëm. Për këtë, Komuna aktualisht ka ndarë 35,000.00 € nga vija buxhetore e Drejtorisë së Bujqësisë.