24-04-2024

A po ndërmerret diçka pas vetëvrasjeve të nxënësve në Prizren?

Derisa Prizreni e sidomos nxënësit e mësimdhënësit vazhdojnë të jenë me ndjenjën e dhembjes për fatkeqësinë, pas vetëvrasjes në formë të njëjtë të dy nxënësve të shkollës së mjekësisë, autoritet e këtushme nuk kanë njoftuar për marrjen eventuale të ndonjë mase parandaluese, transmeton “Gazeta e Prizrenit.net”.

 

Psikologu i njohur prizrenas, Shaban Çoçaj, ka thënë se shkolla në të cilën ka ndodhur rasti i parë është dashur të ndërmarrë masa të menjershme, duke trajtuar të gjithë nxënësit e klasës pas traumës që kanë pasur për humbjen e shoqes, që me siguri do të ndikonte në mos përsëritjen e rasteve.

 

Por, edhe pas rastit të dytë nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për diçka konkrete në këtë drejtim, së paku deri më tash. Ushtruesja e detyrës së shkollës së mjekësisë, Zade Bytyçi përmes telefonit ka thënë se është shumë e zënë me takime, duke përsëritur se nuk ka kohë as të flasë, ndërsa sa i përket masave eventuale të marra në shkollë, pas rastit të vetëvrasjeve, pos asaj se me këto po merret prokuroria e policia, nuk ka thënë diçka tjetër më konkrete.

 

Po ashtu “Gazeta e Prizrenit” nuk ka marrë përgjigje as nga drejtori i DKA-së,  Skënder Susuri, ndonëse ka drejtuar e-mail në adresën zyrtare të tij, e as në mesazhin telefonik të dërguar.

 

Ndaj rasteve të fundit, nuk kemi parë as ndonjë veprim të Kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, që njëherësh ka doktoruar në fushën e psikologjisë. Edhe nëse nga drejtues të shkollave nuk ka pasur ndonjë veprim parandalues, konsiderojmë se këtë është dashur ta kërkoj vetë kryetari i cili nga profili studiues më së miri duhet ta njohë këtë çështje.

 

Shtrohet pyetja, a duhet ndonjë veprim konkret zyrtar, përfshirë edhe të parin e komunës, ndaj një rasteve të tilla tragjike, të cilët në vendet normale alarmojnë shoqërinë, pasi vetëvrasja e të rinjve, aq më tepër në formën e njëjtë, përbën shqetësim, që kërkon veprim urgjent parandalues.

 

Psikologu Çoçaj, që njëherësh ka qenë edhe drejtor rajonal i Shëndetit Mendor për Prizren, ka rekomanduar që të intervenohet menjëherë terapia kolektive për klasën e të ndjerave përmes Specialistes për fëmijë dhe adoleshentë, pastaj të psikiatres në mjekësinë familjare. “Duhet intervenim për të evituar shkaktaret e vetëvrasjeve përmes higjienës mendore, për të mos ndodhur efekti domino për bashkëmoshatarët në klasat e të ndjerave”, ka thënë ai një ditë më parë për “Gazeta e Prizrenit.net”.

 

Nuk është njoftuar po ashtu nëse ndonjë masë trajtimi është aplikuar edhe ndaj shoqeve me të cilët ka banuar vajza që bëri vetëvrasje në rastin e parë.  Burime të cilat preferuan te mbeten anonime, fqinj në objektin ku ndodhi rasti, kanë  thënë se shoqet e dhomës së saj vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtin vend, ku bëri vetëvrasje vajza e parë.

 

Pra, të gjitha këto dëshmojnë se neglizhenca për të vepruar menjëherë kushton, e në këtë rast me jetë. E derisa të ketë ndonjë organizim konkret për trajtimin e fëmijëve, në shkollat e mesme  është në përfundim ky vit shkollor, që mbaron këtë të shtunë./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.