20-10-2020

Flet avokati i Naser Krasniqit, ish-luftëtarit të UÇK-së që u intervistua për dy ditë nga Specialja

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naser Krasniqi për dy ditë me radhë është intervistuar në Prishtinë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Intervistimi i tij është bërë me datën 16 dhe 17 janar, ku u pyet për veprimtarinë e tij gjatë luftës së fundit në Kosovës.

Avokati i Krasniqit, Florin Vërtopi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se klienti i tij është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Vërtopi ka bërë të ditur, se Naser Krasniqi kishte udhëhequr me Policinë ushtarake gjatë kohës së luftës.

“Ai është intervistuar dje dhe pardje, me 16 dhe 17. Është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Ai është marrë në pyetje për rastet prej kur është kyçur në luftë, e deri në përfundimin e saj. Krasniqi ka qenë në Brigadën 121, e ka udhëhequr Policinë ushtarake në zonën operative ku ka qenë”, ka thënë Vërtopi.

Sipas avokatit, prokurori tash ka të drejtë që ta thërrasë përsëri Krasniqin për të marrë në pyetje.

Vërtopi është shprehur se do t’i përgjigjen ftesës së Prokurorit të Specializuar.

“Tash ne presim, ai e ka dhënë deklaratën. Prokurori në bazë të ligjeve në fuqi të dhomave të Specializuar, dhe rregulloreve, ka të drejtë me i marrë përsëri në pyetje. Çka do që ndodhë, ne do t’i përgjigjemi ftesës”, ka thënë ai.

Avokati i Krasniqit ka shpjeguar edhe arsyet pse klienti i tij është intervistuar në Prishtinë, e jo në Hagë.

Vërtopi ka bërë të ditur se Naser Krasniqi nuk e ka pasur në rregull dokumentacionin e udhëtimit.

“Kemi kërkuar ne me u marrë në pyetje këtu, pasi nuk e ka pasur dokumentacionin e udhëtimit në rregull. Kanë qenë shumë korrekt, për dy ditë marrja në pyetje dhe pritja ka qenë shumë korrekte”, ka përfunduar Vërtopi për Telegrafin.

Naser Krasniqi kishte qenë i akuzuar edhe në rastin e njohur si “Kleçka”, nën dyshimet për krime të luftës.

Por në vitin 2012 ai ishte shpallur i pafajshëm, duke u liruar nga këto akuza.

Veç Krasniqit, deri më tani janë marrë në pyetje edhe disa ish-komandantë të UÇK-së.

Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa janë intervistuar në Hagë, përderisa mbrëmë të dy janë kthyer në Kosovë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar gjithashtu ka intervistuar edhe Sokol Dobrunën, Sabahajdin Cenën, kurse së shpejti pritet intervistimi i Nazif Mehmetit.

I ftuar nga Specialja është edhe Remzi Shala, që deri më tani raportohet si i arratisur. /Telegrafi/

Asnjë koment

Comments are closed.