Galeria “VATRA” në Prizren, mbajti “gjallë” jetën kulturore
Me qëllim të krijimit të kushteve dhe hapësirës për prezantimin e krijimtarisë artistike, jo vetëm për autorët prizrenas, por edhe më gjerë, në vitin 1992, kur për shkak të rrethanave të njohura aktivitetet kulturore ishin reduktuar, veprimtari Adnan Abrashi kishte hapur galerinë artistike ,,Vatra” në Prizren, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Adnan Abrashi ka lindur më 1957 në Prizren. Ka punuar si jurist në ndërmarrje të ndryshme. Ishte autor i disa librave dhe shumë shkrimeve, me të cilat u përpoq të kontribuojë në vetëdijesimin e njerëzve për veten dhe botën përreth. Themeloi dhe me mjaft përkushtim e administroi revistën elektronike “Syri 3”. Dha një kontribut të çmueshëm edhe në punën e televizionit “Opinion”. Ishte bashkëpunëtor i rregullt i shumë medieve, ku për vite të tëra, nëpërmes të kolumneve të tij, tregoi gatishmëri të lartë për të kontribuuar në zhvillimet demokratike të Kosovës. Vdiq në vitin 2013.
Kafe-galeria “Vatra” organizonte ekspozita të artit pamor, aktivitete muzikore dhe letrare. Rregullisht mbaheshin mbrëmje të muzikës klasike dhe asaj të lehtë.
Ekspozita e parë, të cilën e kishte organizuar kjo galeri, ishte prezantimi i piktorëve prizrenas, ndërkaq, e dyta ishte ekspozita e pavarur e piktorit Esat Valla, që ishte hapur me 15 piktura të formatit të madh.
Në galerinë “Vatra” ishin hapur shumë ekspozita personale, përfshirë atë të piktorit dhe mjeshtrit me famë ndërkombëtare të grafikës, Nevzat Belegut, që në botën e artit njihej me emrin artistik “Karman Fau Ferri”, i cili jetoi dhe krijoi në Gjermani.
Aty ishte hapur ekspozita personale e piktorit Nysret Salihamixhiqit, si dhe e Menduh Nushit, profesor i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, i cili kishte ekspozuar mbi 30 fotografi nga ciklet “Kullat e Dukagjinit”, “E përditshmja kosovare” dhe “Peizazhet e mëngjesit tonë”. Ekspozitë kishte hapur edhe mjeshtri Fatmir Krypa. Ndër ekspozitat e prizrenasve ishte ajo e piktorit Hamdi Bardhi, Shkëlzen Kabashit- Xenit, dhe të tjerëve.
Hapja e kësaj galeria, shihej si një mundësi për artistët, në rrethanat e atëhershme, në të cilat për mungesë kushtesh, aktivitetet kulturore ishin reduktuar në minimum. Sa u përket kushteve teknike, vetë piktorët në deklarimet e tyre për media i kishin vlerësuar ato si solide. Ndër të tjera organizimi nënkuptonte bartjen e veprave, katalogun përmes kompjuterit, informimin e shtypit dhe hapësirën ekspozuese, të cilën njerëzit e artit e kishin vlerësuar të ketë qenë e një niveli të duhur.
Sipas tyre, pronari pos që garantonte për veprat e ekspozuara, ai për çdo prezantim ishte i interesuar të blinte nga një vepër arti, me qëllim të krijimit të koleksionit të përhershëm të galerisë.
Për shtatë vjet të funksionimit të galerisë është organizuar një numër mbresëlënës i manifestimeve kulturor-artistike. Në shkrimet e publikuara në mediumet e kohës, me fjalë miradije ishin prezantuar aktivitetet e mbajtura në këtë galeri.
Aty ishin mbajtur edhe aktivitet kulturore, për nder të festave të ndryshme kombëtare. Vlen të veçohet manifestimi kremtues, kushtuar 115 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përfshirë ekspozitën me motive nga LSHP, të anëtarëve të shoqatës artistike “Rinia”, programin e korit të SHKA “Agimi”, etj.
Përveç organizimeve vetanake, galeria ua mundësonte organizimin e aktiviteteve edhe shoqatave të lëmisë së artit e kulturës, të cilat zhvillonin veprimtarinë në Prizren. Në këtë galeri, klubi letrar “Fan Noli” i Prizrenit kishte organizuar një manifestim letrar kushtuar përvjetorit të poetit të madh Lasgush Pogradeci, ku me vargjet e tyre ishin paraqitur krijuesit Salajdin Krasniqi, Yriet Berisha, Sabahudin Cena, Xhafer Kabashi etj.
Galeria në këtë kohë ishte shndërruar në një vend takim të artistëve, dashamirëve të artit dhe intelektualëve prizrenas. Bashkim Gashi, koordinator i shoqatës artistike ,,Rinia” kujton se ishin organizuar manifestimet letrare: ,,Vallja poetike” dhe ,,Ditët e poezisë rinore”, si dhe bëri promovimin e projektit ,,Shkolla e Lirë e Gazetarisë”. “Pronari Adnan Abrashi, në shumë raste kontribuoi edhe në aspektin financiar duke qenë edhe sponsor i aktiviteteve, të cilat i organizonin shoqatat apo individët e ndryshëm në kafe-galerinë e tij”, tha ai. /GazetaePrizrenit.net/