Gjykimi për “Abi Çarshia”, përfundon gjykimi ndaj ish-zyrtarëve të Komunës së Prizrenit të akuzuar për korrupsion
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të akuzuarit Islam Thaçi, Jetmire Vrenezi, Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipron Krasniqi, gjatë fjalës përfundimtare në seancën e së premtes, kanë mohuar akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Të lartcekurit, akuzohen se në cilësi të personave zyrtarë kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke rrënuar aneksin e objektit të “Abi Çarshia” Sh.p.k, me ç’rast sipas aktakuzës pretendohet se i shkaktuan dëm afro 70 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori i rastit Mehdi Sefa, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se pas shqyrtimit të të gjitha provave është vërtetuar se të akuzuarit kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me të cilën kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Të akuzuarit sipas prokurorit Sefa duke ditur se nuk kanë të drejtë të bëjnë rrënimin me pjesëmarrje aktive kanë realizuar rrënimin pa asnjë bazë ligjore, pasi që objekti ka qenë në pritje të legalizimit.
Prokurori Sefa, ka propozuar trupit gjykues që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të njëjtit sipas tij, të dënohen sipas ligjit.
“Kërkoj nga trupi gjykues, duke marrë për bazë këto që u theksuan të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, me ç’rast gjatë marrjes dhe shqiptimit të dënimit trupi gjykues të ketë parasysh rrethanat të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit”, tha prokurori Sefa.
Përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Taulant Hodaj në fjalën përfundimtare ka deklaruar se e mbështet prokurorin e shtetit në ato që i tha, i njëjti po ashtu i ka dorëzuar trupit gjykues fjalën përfundimtare të tij me shkrim.
Ndërsa, përfaqësuesi i “Abi” Sh.p.k, Irfan Fusha në fjalën përfundimtare ka parashtruar kërkesën pasurore juridike dhe e ka mbështetur fjalën përfundimtare të avokatit Hodaj.
Mbrojtësi i të akuzuarit Islam Thaçi, avokati Blerim Mazreku e ka dorëzuar fjalën përfundimtare më shkrim, ndërsa në pika të shkurtra edhe ka elaboruar para trupit gjykues, ku mes tjerash deklaroi se prokuroria nuk ka asnjë provë ndaj të mbrojturit të tij.
“Konsiderojmë se në gjithë provat të cilat janë administruar gjatë këtij procesi gjykues, nga asnjë provë të vetme prokuroria nuk ka arrit të provoj se i mbrojturi im ka vepruar jashtë kompetencave të veta”, tha avokati Mazreku.
Tutje, fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, avokati Mazreku e ka mbështetur edhe i akuzuari Thaqi, i cili deklaroi se asnjëherë nuk ka tejkaluar kompetencat e tij dhe se çdo here sipas tij, ka pasur kujdes të veçantë në trajtimin e rastit.
Kurse mbrojtësi i të akuzuarës Jetmire Vrenezi, avokati Adem Vokshi, në fjalën përfundimtare të tij ka mohuar akuzat e prokurorisë, fjalë kjo e cila është mbështetur edhe nga e akuzuara Vrenezi.
“Është absurde të krahasohet veprimi i kundërligjshëm me faktin se një vjet më vonë është aprovuar kërkesa dhe është dhënë leja e ndërtimit për pjesën e aneksit të objektit të “Abi Çarshisë” tha avokati Vokshi.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarës Egzona Morina- Thaçi, avokati Valdet Hoxha në fjalën e tij përfundimtare ka theksuar se nga i dëmtuari pronari i “Abi Çarshisë” nuk ka pasur kallëzim penal të ngritur kundrejtë të mbrojturës së tij.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Shqipron Krasniqi, avokati Asman Hoxha, tha se nuk qëndron me konstatimet e prokurorisë.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Kymete Kicaj ka njoftuar palët se shpallja e aktgjykimit të këtij rasti do të bëhet me 17 maj 2022.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SH.P.K në Prizren.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.
Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.
Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.
Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.