Gruaja bie nga ballkoni dhe pëson lëndime të rënda, aktakuzë ndaj bashkëshortit të saj kosovar në Zvicër
Një shtetas nga Kosova akuzohet në Zvicër për keqtrajtim të rëndë të bashkëshortes së tij, rast që ka përfunduar me lëndime serioze pasi gruaja dyshohet se, nga frika, ka kërcyer nga ballkoni i banesës.
Ngjarja ka ndodhur në korrik të vitit 2025 në rrethin e qytetit të Lenzburgut, ku një grua kishte rënë nga ballkoni i katit të dytë dhe kishte pësuar thyerje të eshtrave. Prokuroria e Zvicrës tashmë ka ngritur aktakuzë ndaj bashkëshortit të saj, një 42-vjeçar nga Kosova, shkruan gazeta “Aargauer Zeitung”.
Fillimisht, gruaja kishte deklaruar se bëhej fjalë për një aksident, por më vonë e ka ndryshuar dëshminë, duke thënë se kishte ikur në ballkon nga frika pasi bashkëshorti e kishte kapur për fyti dhe e kishte kërcënuar.
Sipas hetimeve, mjekët kanë konstatuar lëndime që nuk përputhen vetëm me rënien nga ballkoni, përfshirë shenja të shtrëngimit në fytyrë, qafë dhe nofull, si dhe hematoma në buzë dhe gjakderdhje të brendshme në fytyrë.
“Burri kishte ardhur dhe e kishte urdhëruar të shkonte në dhomën e ditës. Grilat ishin mbyllur tashmë që askush të mos shihte asgjë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.
Sipas përshkrimit të ngjarjes, gruaja kishte deklaruar se ishte xhelozia dhe kontrolli i vazhdueshëm i telefonit arsyeja e konfliktit, ndërsa pas shtrëngimit në fyt ajo kishte tentuar të largohej duke u hedhur nga ballkoni.

“Gruaja e dinte se duhej të ikte, përndryshe do të vdiste”, thuhet në dosje.
Burri fillimisht i ka mohuar akuzat, por më vonë ka pranuar pjesërisht fajin, duke pohuar se kishte pasur një konflikt dhe se gruaja kishte pësuar lëndime gjatë shtrëngimit në fyt.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë për tentativë vrasjeje me dashje, dhunë të përsëritur në familje, kanosje dhe detyrim.
Për të, prokuroria kërkon dënim me 10 vjet burg dhe dëbim nga Zvicra për 13 vjet.
I dyshuari ndodhet në paraburgim që nga 10 korriku 2025, ndërsa gjykimi ende nuk është caktuar.

