26-04-2024

Hajdutët e lopëve në Has e Malishevë, arrestohet një pjesë e grupit

Katër persona janë arrestuar, por policia dyshon se grupi i hajdutëve që vodhën lopë në Has e Malishevë është më i madh, prandaj po zhvillon hetime për të kapur edhe të dyshuar të tjerë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Vjedhja e nisur kohë më parë nëpër shtëpi të Hasit, natën e 18 nëntorit të këtij viti, u karakterizua me një formë të re hajnie. Në tri stalla të familjeve të fshatit Mazrrek janë vjedhur shtatë (7) lopë.

Vjedhjet ishin kryer natën midis të shtunës dhe dielës, ndërsa kjo sigurisht ka qenë strategji e hajdutëve, për t’i ikur më lehtë policisë.

Meqenëse, një hajni e tillë kishte ndodhur edhe në Malishevë, policia ishte vënë në kërkim të hajdutëve, ndërsa si rezultat katër nga shtatë lopët e vjedhura në Mazrrek u gjetën në një stallë në Shipol të Mitrovicës, derisa tri ishin prerë, por si dëshmi kishte mbetur lëkura.

Drejtori i policisë në Malishevë, Hazir Berisha, konfirmoi për portalin “GazetaePrizrenit.net” se lopët e vjedhura në Has, janë gjetur derisa po bëhej identifikimi i hajdutëve dhe kërkoheshin lopët e vjedhura në Malishevë.

Më 19 nëntor, Policia njoftoi se në fshatin Llashkadrenovc të Malishevës ka arrestuar një person, me dyshimin se është i përfshirë në një rast të vjedhjes së bagëtive. Gjatë kontrollit në stallën e të dyshuarit janë gjetur katër krerë gjedhe, për të cilat dyshohej se janë të vjedhura.

Për këto veprime, në dy raste të ndara tashmë janë arrestuar katër persona, dy prej të cilëve derisa po dilnin nga një proces gjyqësor, në cilësinë e të dyshuarve. Dy tjerët, tek të cilët u gjetën bagëtia, i kanë deklaruar policisë se ato i kanë blerë nga persona të tjerë të dyshuar, kundrejt një çmimi të lirë. Për shkak të hetimeve policia nuk ka dhënë detaje të tjera për të arrestuarit.

Të dyshuarit me inicialet A. S. dhe V. S., të cilët ishin në kërkim për vjedhjen e bagëtive janë arrestuar këtë javë dhe i janë dorëzuar për intervistim, policisë së Prizrenit, lidhur me lopët e Hasit.

Kadri Karavidaj nga Mazrreku,  ka thënë se i janë vjedhur katër lopë nga stalla, derisa familjarët nuk kanë dëgjuar asgjë.

Sipas zyrtarit për media në policinë rajonale të Prizrenit, Vesel Gashit, dyshohet se në grupin e hajdutëve bëjnë pjesë të paktën pesë persona.

Banorët e Mazrrekut kanë thënë se rasti është në gjykatë, andaj  edhe presin kompensim./GazetaePrizren.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.