25-11-2024

Hajni i maskuar grabiti 30 mijë euro në ‘ExCoins’, punëtorit ia lidhi duart e këmbët në Ferizaj

Cak i grabitjes ka qenë sot edhe një këmbimore në rrugën “Sali Qeku” në Ferizaj, ku një person i armatosur dyshohet se ka marrë një shumë të konsiderueshme të parave, raporton Gazeta Sinjali.

Policia për rajonin e Ferizajt e ka konfirmuar rastin, ndërkohë që Sinjali ka mësuar detaje të reja.

Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur te pika e këmbimores së valutave ‘ExCoins’, ku i dyshuari ka arritur që t’i avullojë hiç më pak se 30 mijë euro.

Sipas tyre, i dyshuari e ka kanosur me armë punëtorin dhe më pas dyshohet se ia ka lidhur duart e këmbët dhe e ka kryer grabitjen.

Pasi është larguar nga vendi i ngjarjes, rasti është denoncuar dhe njësitë policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme.

“Me datën 27.03.2024 rreth orës 12:20 kemi pranuar një informacion se në një këmbimore, e cila gjendet ne rrugën” Sali Qeku” në Ferizaj, dyshohet se një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit (pistolet) arrinë të marrë (grabitë) një shumë të caktuar të parave dhe të largohet në drejtim të panjohur”.

“Menjëherë ekipe të policisë, policë të rendit, hetues të stacionit, si dhe hetuesit dhe krimteknikët rajonal kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë marrë masat e nevojshme të hetimit për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit e kësaj ngjarje. Për të gjitha këto veprime është njoftuar edhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj. Në momentin e grabitjes ka qenë duke punuar një punëtor, i moshës 30 vjeçar dhe nuk raportohet për lëndime. Për informata tjera do të njoftoheni me kohë”, – kanë njoftuar nga Policia.

Asnjë koment

Comments are closed.