Mbrëmjen e së shtunës në Prizren, u hap “Qendra tregtare ABI Çarshia”, që përbën kompleksin më të madh tregtar në Kosovë, në të cilën sipas pronarëve janë investuar rreth 20 milion euro, ndërsa parashihen mbi 1.200 vende pune, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Kjo qendër tregtare, rikthen Prizrenin në një qendër të rëndësishme për zhvillimin e biznesit. Hapja solemne është bërë në praninë e një numri të madh të pjesëmarrësve, qytetarët dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme.
Qendra gjigante ofron më shumë së 80 brende për veshmbathje, kozmetikë, aksesorë, dekor, ushqim, zbavitje dhe relaks si dhe shumë produkte dhe shërbime të kualitetit superior, duke ofruar eksperiencë unike për çdo blerës.
Irfan Fusha në emër të menaxhmentit dhe familjes, në fjalën e hapjes tha se familja Fusha bashkë me miqtë e shumtë, sot feston realizimin e projektit madhështor “ABI Çarshia” dhe hap dyert e një ardhmërie më të bukur për të gjithë ne.
“Jo rastësisht e kemi emëruar ABI Çarshia sepse kishim dëshirë të reflektojmë konceptin e mirënjohjes për Çarshinë e vjetër të Prizrenit, ku të gjithë do ta shijojnë hapësirën dhe ambientin tërheqës”, tha ai.
Kompleks tregtar parashihet të jetë joshës për vizitorë nga rajoni, marrë parasysh pozitën e volitshme të Prizrenit. Përveç risisë konceptuale në qendrën tregtare të hapur “ABI Çarshia” janë brende që kanë munguar në treg.
Shumëllojshmëria e përmbajtjeve dhe përfshirja e të gjitha ofertave dhe shërbimeve në suaza të qendrës tregtare, shndërrojnë në një destinacion dhe vend të zgjedhjes së parë për blerësit dhe vizitorët e të gjitha moshave, duke plotësuar pritshmërinë e të gjitha shijeve dhe buxheteve.
Vizitorët këtu kanë mundësi të shijojnë avantazhet e hapësirës së gjerë dhe të hapur, shëtitjet nëpër shitoret dhe kompleksin e çarshisë si dhe do të shijojnë kafen, ushqimin apo desertin e preferuar në ambient tërheqës./GazetaePrizrenit.net/