Kryetari prizrenas, Mytaher Haskuka ka lejuar sot hapjen e mbledhjeve të ekzekutivit, të cilat prej formimit të qeverisjes së tij i ka mbajtur pa praninë e medieve.
Në ndryshimin e vendimit të Haskukës, duket se ka ndikuar reagimi i mediave, të cilat ndër tjera ia kanë kujtuar atij premtimin e dhënë gjatë fushatës zgjedhore, lidhur me transparencën.
Mediat janë ftuar ta përcjellin takimin që mbajti të martën qeveria lokale.
Presioni për ndryshimin e vendimit të Haskukës, që të lejohet prania e gazetarëve gjatë mbledhjes, në të cilën zakonisht “thyen shtizat” rreth përcaktimit të prioriteteve në realizimin e projekteve të komunës, ka nisur qysh kur u kuptua se mediet po anashkalohen.
Ndonëse autoritetet lokale janë munduar të arsyetohen duke thënë se do të njoftojnë më shkrim për vendimet e marra gjatë mbledhjes së ekzekutivit, prania e mediave në takime të tilla është e rëndësishme për të parë edhe reagimet e drejtorëve nga partitë në koalicion, por edhe të vetë Haskukës, lidhur me projektet e propozuara.
Pas mbledhjes e sotme të Kolegjiumit të Drejtorëve, Haskuka i tha portalit “Gazeta e Prizrenit.net” se tashmë mbledhjet do të jenë të hapura.
Edhe ish-kryetari Ramadan Muja njëherë pat provuar t’i mbyll takimet me bordin e drejtorëve komunal, por pas një presioni të shoqërisë civile dhe të medive, ai u detyrua t’i rihap takimet me këshilltarët e tij.