19-04-2024

Haskuka emëron drejtorin e tretë për Kadastër e Gjeodezi, opozita kritikon për import nga Prishtina

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka emëruar drejtorin e tretë në krye të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Prizren.

Ai ka njoftuar për emërimin e Nora Kelmendit në këtë pozitë, ndërsa opozita ka deklaruar se Haskuka po merr staf nga Prishtina, pasi drejtoresha është nga ai qytet, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.

“Falënderoj drejtorin e deritanishëm, z. Bajrus Sezairi, për punën e realizuar në përmirësimin e shërbimeve në DGJK, kurse drejtoreshës Kelmendi dhe stafit të saj i uroj punë të mbarë në reformat e brendshme për shërbime edhe më kualitative”, ka bërë të ditur Haskuka.

Referuar informacioneve, në të kaluarën, Kelmendi ka qenë drejtoreshë për Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Prishtinës, e udhëhequr nga kryetari Shpend Ahmeti.

Shefi i grupit të AAK-së në Prizren, Ilir Baldedaj ka deklaruar se Qeverisja e Prizrenit ka filluar të forcohet me drejtor nga Prishtina dhe se kjo tregon se “këta janë të dështuar”, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Kryetari prizrenas ka marrë kritika nga opozita edhe para një viti, për  ‘importimin’ e militantëve të Vetëvendosjes nga komuna e Malishevës , pasi në Drejtorinë e Inspektorateve u punësua J. Vrenezi.

Që nga qeverisja e Haskukës, prej 2 vjet e gjysmë, në njërin nga sektorët më të rëndësishëm komunal, janë emëruar tre drejtorë, njëri prej të cilëve, Refik Shaqiri nga partia e komunitetit boshnjak NDS, është tërhequr pas ngritjes së aktakuzës për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar”.

Haskukës i kërkohet shkarkimi i tre drejtorëve me aktakuza

 

Një muaj më parë, pas kritikave e presionit të të opozitës dhe shoqërisë civile për shkak të tenderëve me kosto të lartë dhe aktakuzave të disa drejtorëve, Haskuka ka bërë disa ndryshime kozmetike në ekzekutiv.

Opozita e ka kritikuar Haskukën se në mungesë të kuadrove po përballet me sfida në rekrutimin e stafit, e sidomos në arsim, kur për shkak të gjendjes së krijuar ka dorëzuar edhe një kërkesë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prizrenit, që pritet të mbahet së shpejti. /GazetaePrizrenit.net /

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.