Haskuka falënderon JICA-n japoneze për ndihmën në menaxhimin e mbeturinave
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka falënderuar të përfaqësues të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), për ndihmën dhënë Prizrenit, fushën e menaxhimit të mbeturinave.
Ai këtë e ka bërë gjatë një takimi lamtumirës me Hiroshi Fuji, përfaqësuesin e JICA. ”Pata rastin ta nderoj me mirënjohje për ndihmën që kjo Agjenci i ka dhënë Komunës sonë në sektorin e menaxhimit të mbeturinave”, ka shkruar në facebook, ai.
Japonia njihet si një nga shtetet më të avancuara në botë sa i përket menaxhimit të mbeturinave, dhe këtë përvojë të mirë, ata e kanë ndarë edhe me Prizrenin.
JICA që nga viti 2011, nëpërmjet ekspertëve të vet, ka trajnuar stafin lokal për ta krijuar modelin më të avancuar në Kosovë sa i përket organizimit të këtij sektori. Modelin e ndërtuar në Prizren, sivjet e ka adaptuar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor duke u zotuar se do ta shtrijë në të gjitha komunat e Kosovës.
“Komunës së Prizrenit i mbetet që ta avancojë modelin e ndërtuar, ndërsa popullit japonez do t’u jemi mirënjohës për këtë ndihmë të paçmueshme”, ka shkruar Haskuka.