Muharremaj interesohet për regjistrimin nxënësve, ndërsa premton cilësi në shkollat

Në shkollat e Suharekës po bëhet regjistrimi i  nxënësve në shkollat e mesme sipas konkursit të shpallur nga MASHT.

Për të ndjekur nga afër procesin e regjistrimit të nxënësve, që po bëhet në këto institucione arsimore, kryetari i Komunës Bali Muharremaj, ka vizituar shkollat e mesme të komunës.

Në njoftimin e kësaj komune, thuhet se në një fjalë rasti, kryetari  nxënësve iu ka uruar suksese të mëtejshme në procesin mësimor dhe në zhvillimin e tyre arsimor. “Vitin e ardhshëm na presin sfida tjera por jemi të përgatitur me projekte konkrete për cilësi në arsim”, ka thënë Muharremaj.

Referuar të dhënave nga MASHT afati i paraqitjes së dokumenteve për vitin shkollor 2018/2019, bëhet deri më 21 qershor 2018, në lokalet e shkollës amë, ku nxënësi dëshiron të regjistrohet duke filluar nga ora 8.00-16.00.

Për regjistrimin e nxënësve në klasën e 10-të, të gjimnazeve dhe të shkollave profesionale, për vitin shkollor 2018/19, mund të konkurrojnë kandidatët, të cilët e kanë mbaruar arsimin e obligueshëm dhe nuk janë më të vjetër se 17 vjeç.

Ndër kriteret që duhet t’i plotësojë një nxënës për regjistrim në klasën e 10-janë suksesi nga shkollimi i obliguar (25 %) 25 pikë, suksesi nga lëndët prioritare në test (15 %) 15 pikë dhe numri i pikëve nga testi (60%) 60 pikë.

 

Rezultatet për pranimin e nxënësve shpallen në shkollat përkatëse me datën 26.6.2018.