12-12-2024

Inspektorati ndalon punimet në një qendër tregtare në rrugën “Tirana”

Inspektorati në Prizren, njofton se ka ndaluar punimet në një objekt, në të cilin thuhet se mbi 35% të ndërtimit të tij është jashtë koordinatave të lejes ndërtimore, ndërsa për më keq është mbyllur edhe rruga qarkulluese e paraparë me plan urbanistik.

Në një njoftim të komunës, thuhet se në ndër problemet më të theksuara që i ka trashëguar Komuna e Prizrenit janë ndërtimet pa leje dhe ato në kundërshtim me rregullat dhe ligjin, andaj Drejtoria e Inspektoratit që nga fillimi, është duke i identifikuar të gjitha këto raste pa përjashtim, ndër to edhe rastin e një qendre tregtare në ndërtim e sipër, në rrugën Tirana.

“Investitori i këtij objekti, përveçse nuk i është përmbajtur lejes së ndërtimit, ka bërë shkelje edhe në projektin e infrastrukturës së qytetit. Një pjesë e këtij objekti është duke u ndërtuar në hapësirën e paraparë për rrugë qarkulluese. Pasojat e ndërtimeve të këtilla kanë ngulfatur qytetin, prandaj inspektorët komunalë kanë kërkuar nga investitori që t’i ndalë punimet duke ia ofruar mundësinë për revidimin e lejes ekzistuese”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast sqarohet se përkundër kësaj mundësie, punët kanë vazhduar në mënyrë të kundërligjshme, prandaj  inspektorët komunal sërish kanë intervenuar dhe kanë shqiptuar gjobë sipas udhëzimit administrativ.

“Komuna është e interesuar që të ketë sa më shumë investime, por investimet duhet t’i përmbahen ligjit dhe rregullave të parapara. Nuk mund të ketë zhvillim pa e respektuar rendin dhe ligjin”, përfundon njoftimi.

 

Asnjë koment

Comments are closed.