23-10-2019

Haskuka ka përmbushur 10 premtime, 43 të tjera thotë se i kryen deri në fund të mandatit

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka folur në Puls të KTV-së, për premtimet që kishte bërë para se ta marrë mandatin dhe me procesin e implementimit të tyre.

Ai ka thënë se ka pas 43 premtime në fushatë, por sipas organizatave joqeveritare që po monitorojnë punën e Komunave, bazuar në debatet publike e televizive ishin rreth 53-54 premtime.

“Janë 10 të realizuara, ndërsa pjesa dërmuese është planifikuar për të ardhmen”, ka thënë ai.

Haskuka ka thënë se ka premtuar 4 çerdhe, ndërsa ka treguar se ndërtimi për dy prej tyre ka filluar, e për dy të tjera do të fillojë këtë vit. Haskuka ka premtuar në Puls të KTV-së se do t a tejkalojë këtë premtim, duke mundësuar ndërtimin edhe dy çerdheve të tjera deri në fund të mandatit të tij.

Ai ka thënë se ka bërë disa zgjidhje edhe në aspektin e ujit të pijes.

Haskuka ka folur edhe për bllokimin e dy projekteve milionëshe, për të cilat ka thënë se do ta shëmtonin qytetin.

I pari është ai për teleferikun në Kalanë e Prizrenit, për të cilin Haskuka ka thënë se ka rënë ndesh me shumë ligje që rregullojnë Qendrën Historike të Prizrenit dhe trashëgiminë kulturore.

“Nuk ka qenë e lehtë se ka qenë projekt 2,7 milionë euro, mirëpo ishte paraparë edhe ndërtimi i një objekti 2 mijë metra katrorë. Pas shumë peripecive është parë që vendimi im ka qenë i drejtë”, ka thënë Haskuka.

Ai ka folur edhe për stopimin e projektit të betonizimit të Lumëbardhit.

“Ka qenë projekt rreth 1,2 milion euro. Kanë dashur që ta fusin kanalizimin përfundi Lumëbardhit, ndërsa sipër të bëhet beton. Paramendoni, Prizreni e ka bukur Lumëbardhin me gjithë atë barë dhe gurë që i ka. Kanë dashur ta mbulojnë, tash kur shumë qytete që e kanë bërë këtë më parë e kanë kuptuar që ka qenë gabim dhe po i pastrojnë lumenjtë nga betoni. As kjo nuk ka qenë e lehtë sepse kontrata vetëm se ishte nënshkruar, por ne nuk e kemi vazhduar”, ka thënë Haskuka.

Haskuka është pyetur edhe për premtimin që në kabinetin e tij të drejtorive të përfshijë më shumë gra, derisa vetëm një grua vazhdon të ketë përgjegjësinë në drejtimin e një drejtorie. Ai është arsyetuar se “shumë gra të cilat i kam kontaktuar nuk kanë shprehur gatishmëri për të marrë përgjegjësi”.

Ai ka kundërshtuar mënyrën se si është organizuar deri tani festivali tradicional “Zambaku i Prizrenit”, duke arsyetuar kësisoj edhe dështimin që ai të mbahet vitin e kaluar. Haskuka ka thënë se ka qenë gabim që “Zambaku…” të organizohet me konkurs, sepse, sipas tij, në këtë rast kur të fitojë oferta më e lirë rrjedhimisht niveli artistik nuk është i garantuar. Kësisoj, ai ka treguar se do të shpallet konkurs vetëm për organizimin teknik të festivalit, derisa pjesën artistike do ta mbajë Komuna.

Asnjë koment

Comments are closed.