02-12-2024

Haskuka: Prizreni ndër të parët për masat e parandaluese ndaj Covid-19

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka reaguar ndaj informacioneve se komuna e Prizrenit nuk ka marrë masat e duhura ndaj COVID19, duke përmendur rend me rend gjitha masat që ka marrë komuna që ai drejton, që kur Kosova është përballur me pandeminë globale të koronavirus.

Ai këtë e ka bërë të ditur në “Facebook”, duke u bazuar në rekomandimet e përgjithshme të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik

Njoftim:

Disa shushunja të sistemit të kapur edhe në këtë kohë pandemie po gjejnë kohë të përhapin dezinformata, e këto pastaj me copy-paste plasohen nëpër portale për një përdorim për lajme të rreme.

Mosni, me mocion keni rrezikur veten dhe familjet e juaja me këto dezinofrmata jeni duke penguar punën e institucioneve në parandalimin e virusit COVID-19.

Për informim të opinionit:

1. Komuna e Prizrenit ka qenë ndër Komunat e para që ka formuar shtabin emergjent duke përfshirë të gjitha insitucionet relevante që veprojnë në Komunë. Shtabin emergjent e kemi formuar me 11 mars.

2. Është analizuar situata dhe janë bërë planet për aktivitetet e Komunës për vazhdimin e punës në ofrimin e shërbimeve në distancë, ofrimin e mësimit në distancë, kemi marrë masa për zvogëlimin e grumbullimit të njerëzve, masat për të ndihmuar familjet në nevojë, masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19…

3. Shërbimi urgjent komunal nga ditët e para të pandemisë (nga data 8 shkurt) ka qenë në pikën kufitare në Morinë për skanimin e udhëtarëve që kanë hyrë në Kosovë (janë skanuar mbi 4,000 të ardhur).

4. Është riorganizuar shërbimi parësor shëndetësor për pandeminë COVID-19.

5. Kemi organizuar shërbimet komunale në distancë, komuna ofron të gjitha shërbimet në formë digjitale dhe përmes uebfaqes.

6. Me drejtorinë e Arsimit nga dita e parë kemi punuar në organizimin e mësimit nga distanca. Pa e pritur MASHT-in shumë shkolla në komunën tonë kanë filluar mësimin nga java e parë.

7. Kemi organizuar ndihma në pako higjienike dhe pako ushqimore për familjet në nevojë. Deri më tani kemi shpërndarë gjithsejt 432 pako për familjet në nevojë, ndërkohë shpërndarja e pakove të tilla po vazhdon. Një pjesë e këtyre ndihmave janë siguruar edhe nga bizneset dhe organizatat bamirëse lokale e ndërkombëtare.

8. Jemi në proces të lansimit të patformës për këshillim psikologjik online e cila fillon javën e ardhshme.

9. Me policinë dhe inspektoratin, kemi bërë inspektimin e respektimit të masave të ndërmarra nga qeveria, kemi pasur edhe raste të arrestimeve të personave që nuk kanë respektuar masat. Inspektoriati ka koncentruar punën në respektimin e masave për parandalimin e virusit COVID-19. Janë mbyllur restorantet dhe shitoret hoteliere, janë mbyllur bizneset të cilat nuk kanë respektuar masat, janë mbyllur parqet si dhe tregjet ku ka pasur grumbullim të banorëve.

10. Kemi bërë dezinfektimin e të gjitha objekteve publike në komunën e Prizrenit në bazë të rregullt.

11. Kemi bërë dezinfektimin e të gjitha Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe vazhdojmë ta bëjmë.

12. Vazhdon dezinfektimi i hyrjeve dhe i ashensorëve të të gjitha ndërtesave kolektive në komunën tonë.

13. Kemi mbajtur takime me biznese për të shikuar masat e mundshme për tejkalimin e situatës së vështirë ekonomike. Qeveria një pjesë të rekomandimeve tanimë ka paraqitur si masa.

14. Kemi pastruar, gëlqerosur, dezinfektuar dhe pajisur me shtretër dhe gjitha pajisjet përcjellëse për pushimoren në Nashec, si një vend për karantinë të mundshme nëse paraqitet nevoja në të ardhmen. Të gjitha me mjete vetanake!

Gjatë kësaj pandemie globale, krahasuar me vendet e rajonit por edhe me Evropën (përkundër vështirësive), Kosova dhe Prizreni është duke punuar e u përballur mjaft mirë. Këtë vlerësim po e bëjnë organizatat botërore, por kjo përballje bazohet në bashkëpunimin qytetarë-institucione. Këtë bashkëpunim e kemi të bazuar në mirëkuptim. Të gjitha masat që jemi duke i ndërmarr janë për të mirën tonë dhe familjeve tona, prandaj të respektojmë udhëzimet dhe të vazhdojmë me ato çka mund të bëjmë ne për të luftuar koronovirusin. Pra, të rrimë në shtëpi, kur kemi emergjencë dhe dalim jashtë të ruajmë distancën, dhe kur kthehemi në shtëpi të pastrohemi.

Falënderoj çdo qytetar për bashkëpunimin dhe ndihmën e çdonjërit në luftën tonë për të parandaluar pandeminë!

Mytaher Haskuka
Komuna e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.