Haskuka synon edhe një mandat
Në vitin 2021, Mytaher Haskuka, do të synojë edhe një mandat për kryetar të Prizrenit, nëse kandidatura e tij pranohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kështu ka deklaruar kryetari i ‘Qytetit të Kulturës’, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Online Insajderi.com.
Tri vite më parë Lëvizja Vetëvendosje e hapi fushatën e saj të zgjedhjeve lokale në Prizren, me një varg premtimesh për qytetarët e kësaj komune. Sipas Institutit GAP nga 49 premtime të Haskukës, njëzetenjë premtime janë realizuar, dhjetë të tjera gjysmë të përmbushura, katërmbëdhjetë të filluara dhe katër projekte të premtuara ende nuk kanë filluar.
Lexo edhe:
Prizreni nën mesatare edhe për kujdesin primar shëndetësor (Dokument)
Haskuka, për këtë raport tha se “deri në përfundim të mandatit do t’i plotësojnë më shumë se 95% të premtimeve”. Por, sipas tij disa çështje janë jashtë kompetencave të Komunës.
Këto kompetenca jokomunale lidhen me kompetenca të Qeverisë, në krye të së cilës për pak muaj qëndroi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit udhëheqë me Prizrenin.
Njëshi i Prizrenit, theksoi se Qeveria Kurti nuk ka pasur kohë për kërkesat e Komunës së tij për shkak të se ishte jetëshkurtër.
Ai shtoi se “Komuna e Prizrenit nuk është injoruar vetëm nga Qeveria Hoti, por nga të gjithë qeveritë e tjera, përjashtim bën ajo e Kurtit”.
E pikërisht, Albin Kurti, më 2017 deklaronte se me “Mytën e mbysim korrupsionin”, ndërsa tani Partia Demokratike e Kosovës në Prizren akuzon Haskukën për korrupsionin e klientelizëm.
Kryetari i Prizrenit e quajti PDK-në “histori të hidhur të Prizrenit” dhe tregoi se ka dërguar pesëdhjetë dosje me parregullsi nga qeveria e kaluar e PDK-së dhe se “akuzat për klientelizëm janë si rezultat i asaj që nuk ka klientelizëm në Prizren”.
Akuzës specifike të PDK-së për emërimet e drejtorëve të shkollave, ai iu përgjigj duke thënë se, “shumica e ushtruesve të detyrës së drejtorit, nuk janë as anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, e as nuk kanë lidhje me të personalisht, por janë profesionist dhe me përgatitje adekuate për t’i udhëhequr ato shkolla”.
Lexo edhe:
Prizreni me performancë të dobët për Arsimin parauniversitar (Dokument)
Përpos çështjeve që lidhen me problemet e brendshme të Prizrenit, kjo komunë është ndër më të prekurat me virusin COVID-19. Për këtë Haskuka ka kritika për qeverisjen qendrore.
Ai deklaron në këtë intervistë për Insajderi-n se “numri i rasteve me COVID-19 është më i lartë sesa paraqitet, kjo për shkak se nuk janë testuar personat që kanë pasur gjurmë të kontaktit me të infektuarit e COVID-19”.
Sipas tij Qeveria Hoti e ka keqmenaxhuar pandeminë dhe për këtë Kosova është në “Listën e zezë në Evropë”.
Haskuka përpos vërejtjeve për menaxhimin e situatës me COVID-19, me Lidhjen Demokratike të Kosovës ka pasur edhe “problem”.
Koalicioni i tyre u shkërmoq në nivel lokal menjëherë pas prishjes së koalicionit VV-LDK në nivel qendror.
Për këtë kryetari i Prizrenit, i cili është zyrtar i lartë në Lëvizjen Vetëvendosje, ka kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme në nivel qendror.
Ekzekutivin e tanishëm e quan “jolegjitim”.
Haskuka e ka kritikuar Qeverinë edhe për marrëveshjen e Uashingtonit. Sipas tij, “Serbia mori gjithçka pa u detyruar që ta njohë pavarësinë e Kosovës”.
INSAJDERI: A jeni në realizim të planit premtues me të cilin garuat në zgjedhjet e vitit 2017, kur kanë mbetur pak më shumë se një vit mandat?
Haskuka: Mendoj që deri në përfundim të mandatit do t’i plotësojmë më shumë se 95% të premtimeve. Sipas institutit GAP, deri më tani kemi përmbushur rreth 50% të premtimeve elektorale, ndërsa pjesa tjetër, ose kemi filluar, ose është e gjysmë-e përmbushur.
Por, më duhet të theksoj se ekzistojnë disa çështje që nuk janë nën kompetencat e komunës. Megjithatë, besoj se deri në fund të mandatit do t’i kemi të plotësuara 95% të premtimeve.
INSAJDERI: Albini Kurti deklaronte se; “Me Mytën e mbysim korrupsionin”. A është “mbytur” korrupsioni në Prizren?
Lexo edhe:
Prizren: Dënohet ish-drejtori për Arsim i Haskukës, Skënder Susuri
Haskuka: Që nga fillimi i qeverisjes lokale në Prizrenit, ne kemi dërguar në prokurori më shumë se 50 raste/dosje me parregullsi nga qeverisja e kaluar. Por, të njëjtën gjë e kemi bërë edhe kur janë shfaqur shkelje apo parregullsi gjatë qeverisjes sonë. Edhe pse ka raste kur zyrtarët e vjetër janë dërguar për këto dosje , fatkeqësisht, deri më tani janë proceduar shumë pak raste nga gjyqësori.
Komuna e Prizrenit aktualisht është duke u vëzhguar dhe duke u ndjekur nga afër, ku mund të them se jemi “nën llupë” ngase vetëm në dy javët e fundit kemi pranuar më shumë se 50 kërkesa për qasje në dokumente nga mediat, opozita dhe shoqëria civile. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur asnjë rast me korrupsion. Për shembull, derisa në qeverisjet e kaluara drejtorët e inspektoratit janë inkriminuar ngase kanë lejuar ndërtime pa leje, tani drejtori ynë ndiqet penalisht ngase ka bërë rrëzimin e një ndërtese pa leje, por që kjo ndërtesë është i të fortëve. Kjo tregon që ne jemi duke qeverisur me duar të pastra, edhe pse janë duke u munduar maksimalisht të krijojnë raste artificiale.
Për më shumë, Komuna e Prizrenit në tre vitet e fundit ka liruar të gjitha hapësirat publike të cilat kanë qenë të uzurpuara po në shfrytëzim privat, pa përfitime nga ana e Komunës, në shumë raste këto kanë qenë me kontrata të cilat nuk kanë qenë në rregull për nga aspekti ligjor. Pos kësaj, ne po ashtu kemi bërë edhe lirimin e shumë hapësirave komunale të cilat nuk janë përdorur pa letra fare. Për shembull ndërtesa e “Kosova Turist”, e cila me vite të tëra është përdorur pa pagesë nga operatorë të ndryshëm ekonomik, tashmë është liruar nga Komuna, ku kemi implementuar një projekt të filigranit, si dhe një pjesë është duke u përdorur edhe si hapësirë e Drejtorisë së Inspektoratit.
Ne si Komunë kemi liruar më shumë se 102,000 m2 të tokave të “InfraKos”-it, hapësirë rreth hekurudhave. Ne jemi njëra nga Komunat që kemi liruar më së shumti hapësira publike, nga uzurpatorët.
INSAJDERI: Jeni akuzuar nga opozita për klientelizëm, si qëndron çështja me drejtorët e shkollave?
Haskuka: Aktakuzat në fakt po vijnë për arsye se tek ne nuk ka klientelizëm. Drejtorët e shkollave janë profesionistë të cilët caktohen sipas konkurseve por opozita në Prizren ka bllokuar votimin e komisionit përzgjedhës për drejtorë dhe në këtë rast, unë si kryetar i Komunës, kam përdorur të drejtën time ligjore për t’i caktuar ushtruesit e detyrës në ato shkolla, në vend të drejtorëve të cilëve iu kishte skaduar kontrata.
Shumica e ushtruesve të detyrës së drejtorit, nuk janë as anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, e as nuk kanë lidhje me mua personalisht, por janë profesionist dhe me përgatitje adekuate për t’i udhëhequr ato shkolla.
INSAJDERI: Cilat janë sfidat me menaxhimin e pandemisë, keni deklaruar se ka më shumë raste me COVID-19 në Prizren sesa paraqiten, kush është fajtor për këtë?
Haskuka: Qeveria aktuale situatën e pandemisë e ka udhëhequr dhe është duke vazhduar ta udhëheqë pa asnjë plan të mirëfilltë. Qeverisjen e Albin Kurtit e kritikonin për numrin e testimeve, përkundër faktit që në atë kohë testoheshin edhe personat e rasteve të kontaktit, ndërsa vetë e përgjysmuan numrin e testimeve duke i testuar vetëm rastet e rënda, gjë që i ka hapur rrugë rritjes eksponenciale të numrit të të prekurve nga Coronavirusi.
Numri i madh i vdekjeve nga COVID-19 tregon se numri i rasteve është shumë më i lartë për arsye se nuk po testohen personat që kanë pasur kontakt me të prekurit. Kosova, me numër të vdekjeve nga virusi në krahasim me numrin e banorëve, është në krye të listës në Evropë, ndërsa në qeverisjen Kurti kemi qenë vend shembull për menaxhimin e situatës së pandemisë. Për shkak të keq menaxhimit të qeverisë Hoti, Kosova është në listën e zezë për udhëtime jashtë vendit, gjë që ka rezultuar me mos ardhjen e bashkatdhetarëve dhe turistëve në vendlindje.
INSAJDERI: PDK ka qenë shumë aktive si opozitë në Prizren, e shihni mundësinë që ta rikthejë pushtetin në vitin 2021 dhe t’iu dërgojnë përsëri juve në opozitë?
Haskuka: Unë mendoj që PDK-ja tashmë është histori e hidhur e Prizrenit dhe nuk ka më gjasa të kthehet pushteti i saj. Tani Prizrenit po i kthehet dinjiteti dhe pikërisht për këtë arsye qytetarët nuk do ta votojnë ndonjë kandidat nga PDK-ja, apo partitë tjera.
INSAJDERI: Do të kandidoni përsëri për kryetar të Prizrenit?
Haskuka: Po! Po! Ne kemi zgjedhje të brendshme brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe nëse kërkohet nga unë, atëherë do të kandidoj përsëri për kryetar komune.
INSAJDERI: Është tensionuar raporti midis VV-së dhe LDK-së në Prizren pas prishjes së koalicionit në nivel qendror?
Haskuka: Ne si qeverisje lokale jemi të koncentruar t’i japim shërbime vetëm qytetarëve. Raportet për parti të ndryshme nuk kanë kurrfarë vlere. Ne jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë asamblistët për të mirën e qytetarëve të Komunës sonë. Prandaj kjo nuk ka kurrfarë rëndësie.
INSAJDERI: A ka ndryshuar bashkëpunimi me pushtetin qendror nga Qeveri Kurti në Qeverinë Hoti?
Haskuka: Po! Fatkeqësisht Qeveria Kurti, as nuk ka pasur kohë të merret me kërkesat e dërguara nga ne me qëllim të implementimit të disa projekteve në komunën tonë, ngase e rrëzuan vetëm 50 ditë pas marrjes së qeverisjes. Në këtë aspekt, dua të theksoj se jo vetëm qeveria Hoti, por edhe qeveritë e kaluara (që nga viti 2017), kanë injoruar pothuajse të gjitha kërkesat e Komunës së Prizrenit. Për shembull, njëra nga kërkesat kyqe tona është që rreth 40 hektarë, të cilët janë në Agjencinë e Privatizimit të Kosovës, të kalojnë nën udhëheqjen e Komunës së Prizrenit, në mënyrë që ta funksionalizojmë zonën ekonomike, për të tërhequr investime nga sektori privat. Por kjo dhe shumë kërkesa tjera injorohen për më shumë se tre vite nga qeveritë. Fatkeqësisht edhe qeveria Hoti, në mbledhjen e kaluar të qeverisë ka votuar shumë kërkesa të komunave tjera për bartje të pronës, por kërkesat e Komunës së Prizrenit për 36 parcela nuk janë aprovuar. Prandaj, na pamundësohen investimet e shumta kapitale.
INSAJDERI: VV kërkon zgjedhje të parakohshme, besoni se do të realizohet ky insistim në vitin 2020?
Haskuka: Mendoj se në Kosovë duhet të kemi zgjedhje të parakohshme sepse qeveria aktuale, përveçse nuk i ka numrat që në Kuvend të miratojë çështje të rëndësishme për vendin, ajo nuk ka as legjitimitet ngase nuk ka brenda saj Lëvizjen Vetëvendosje, parti kjo e cila është më e votuara në Kosovë. Po ashtu, brenda saj nuk i ka as personat që janë më të votuarit e LDK-së. Prandaj, kjo qeveri përveçse është demokratike, as nuk ka legjitimitet, ka rrezikuar edhe shëndetin e qytetarëve duke keq menaxhuar situatën me pandemi.
INSAJDERI: Si anëtar i kryesisë së lartë të Vetëvendosjes si e shihni marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington?
Haskuka: Takimi i 4 shtatorit në Uashington na tregoi se partitë politike nuk kanë program, e nuk kanë asnjë ide se si duhet të jetë shteti i Kosovës. Nënshkrimi i marrëveshjeve, të cilët i kishin kundërshtuar vetë para 2-3 muaji, tregon se politika e qeverisjes momentale nuk ka asnjë parim dhe ka për qëllim të mbajë në dorë pushtetin dhe të bllokojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, e që janë të domosdoshme. Edhe personalisht, edhe si anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, mendoj se marrëveshjet e 4 shtatorit i plotësojnë të gjitha kërkesat e Serbisë për Kosovën, duke mos pasur parasysh asnjë kërkesë të Kosovës. Delegacioni u nis për në Uashington për njohje reciproke, por ia dhanë mundësinë e formimit të mini-schengenit, ia hapën rrugët Serbisë për dalje në bregdetin e Durrësit, Serbinë e bënë ortak në menaxhimin e Ujmanit, ndërsa në anën tjetër Kosova nuk mori asgjë nga Serbia. Të gjitha këto marrëveshje të dëmshme po e pamundësojnë njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, ngase Serbia po i merr të gjitha ato që i ka kërkuar, pa u detyruar të njeh pavarësinë e Kosovës./Insajderi.com