24-04-2024

Prizren: Dënohet ish-drejtori për Arsim i Haskukës, Skënder Susuri

Ish-drejtori komunal i Arsimit në Prizren, Skënder Susuri është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren për shkak të veprës penale cenim i të drejtave të punësimit dhe të papunësisë, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Në aktgjykimin, një kopje të të cilit e ka siguruar edhe “GazetaePrizrenit.net”, thuhet se ai është dënuar me gjobë në vlerë prej 300 euro, ndërsa në rast të mospagesës brenda afatit, dënimi me gjobë zëvendësohet me burgim prej 15 ditësh.

Në aktgjykimin ndaj Susurit,  thuhet se në prill të vitit 2019, në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prizren, duke vepruar në cilësi të Drejtorit të DKA, ai ia mohon ose ia kufizon personave të tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta, ashtu siç është përcaktuar me ligj.

“Në ditën kritike nënshkruan kontratën e punës për mësimdhënës, me të cilën ia mundëson përfitueses me inicialet F.(B).F që të punoi si mësimdhënëse,  për të cilin veprim Susuri është dashur të shpall konkurs publik me ç’rast ka dëmtuar personin Xh.K si dhe personat tjerë që kanë qenë të interesuar për një vend të tillë. Këso dore ka kryer veprën penale”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

“I pandehuri S. S., në shqyrtim fillestar, në tërësi e ka pranuar veprën për të cilën akuzohet, e po ashtu ka pranuar edhe fajësinë”, thuhet tutje në aktgjykim, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Ajo që bie në sy në këtë rast, ndërkaq është deklarimi i gjendjes së tij ekonomike si “të dobët”, kur dihet se Susuri ka punuar si drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Prizren,  ka qenë drejtor i një shkolle në Prizren, ndërsa aktualisht punon si pedagog në një shkollë fillore të Prizrenit.

Ai po ashtu, së paku gjatë 2018-ës ka qenë edhe kryesues i Komisionit të MASHT-it për Testin PISA.

Ndryshe,  Susuri ka qenë pjesë e kabinetit të kryetarit Mytaher Haskuka nga viti 2018 deri në maj të vitit të kaluar,  kur është shkarkuar nga detyra, pas kërkesës së partisë së tij Nisma, që atëkohë ishte në koalicion qeverisës me Vetëvendosjen në Prizren.

Ndonëse zyrtarisht është larguar nga detyra,  partia më e madhe opozitare në Prizren, PDK ka deklaruar se kryetari Haskuka vazhdon ta mbajë afër Susurin,  ndërsa si fakt ka përmendur rastin e një përurimi në fshatin Mushnikovë të Prizrenit,  ku pa ndonjë pozitë, Susuri në foltore para të pranishmëve madje kishte premtuar projekte të reja në fshatin Drajçiq.

Duke kritikuar për “gjendje më të keqe se asnjëherë në arsimin e Komunës së Prizrenit”,  PDK po ashtu ka deklaruar se “për më keq, duket se edhe vendimet që merr drejtoresha aktuale Thaçi-Vezgishi, janë nga instruksionet e njerëzve të larguar nga ky sektor, të cilët në mungesë të kuadrove nga partia e tij, po i riciklon Haskuka”.  /GazetaePrizrenit.net /

 

Asnjë koment

Comments are closed.