Hetimet pritet të çojnë në ndërprerjen e pagave për veteranët “mashtrues”
Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmon se pas hetimeve, që do të zhvillohen lidhur me rastin e njohur si ‘lista e veteranëve të UÇK-së’, do të propozohet një aktakuzë, e cila do t’i dërgohet gjykatës që veteranëve “mashtrues” t’u ndërpriten pagat.
Prokurori Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me mediat nga Prokuroria Speciale e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se bashkë me aktakuzën, Prokuroria do të kërkojë që të dyshuarve, të cilët rrjedhimisht nuk e meritojnë pagën, t’u ndërpritet ajo.
Hetimet e reja pasojnë një proces të lënë në gjysmë nga ish-prokurori Elez Blakaj, i cili dha dorëheqje me arsyetimin se mbi të po bëhen presione.
“Aktakuza nuk ka qenë e kompletuar nga prokurori Elez Blakaj. Kjo aktakuzë do të plotësohet, dhe në atë plotësim të aktakuzës në rastin e dorëzimit, do të kërkohet nga gjykata një gjë e tillë. Pra, Prokuroria ia propozon gjykatës pezullimin e atyre pagave të veteranëve për ata njerëz, të cilëve nuk iu takon”, deklaroi Hoxha.
Ai tha, po ashtu, se ende është herët të thuhet se çka do të ndodhë me ata persona të cilët kanë marrë para nga buxheti, por tani mund të vërtetohet që pagat e tyre ishin të kundërligjshme.
“Tash prokurori që do të vazhdojë punën për aktakuzën, do të dalë me ndonjë konkludim konkret…, është herët të thuhet diçka”, tha Hoxha.
Kurse, anëtarët e Komisionit për statusin e dëshmorit të kombit, invalidit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranit, pjesëtarit të UÇK-së dhe të internuarit të UÇK-së, thanë se të gjithë ajo strukturë e atyre personave që sot marrin pagesë, varen nga ato të ardhura.
Anëtari i këtij komisioni, Shkumbin Demaliaj, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se do të ishte shumë e dëmshme që të ndërmerren veprime nga Prokuroria apo gjykata për ndërprerjen e pagesave pa përfunduar të gjitha proceduarat hetimore.
“Nëse është dikush që gëzon këtë status jo meritor, duhet t’i ndalet pagesa dhe t’i kthejë ato para. Por, përderisa nuk është dhënë një vlerësim dhe nuk është gjykuar procesi, është e parakohshme të thuhet, të bisedohet dhe të merren vendime të tilla lidhur me këtë çështje. Është shumë e dëmshme që të ndërmerret një masë që të ndërpriten pagesat”, tha Demaliaj.
Ndërkaq, Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave në Qeverinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se çështja ndërprerjes së pagesave për atë kategori, që siç dyshohet mund të ketë pasur manipulime me fitimin e statusit të veteranit, është punë e sistemit të drejtësisë.
“Është çështje që nuk varet nga ekzekutivi. Kryekëput varet nga çështja e organeve të drejtësisë, siç është gjykata, e cila vendosë me aktgjykim ose me aktvendim, varësisht nga kontesti”, shpjegoi Rafuna.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për shtatë muajt e parë të këtij viti për këtë kategori janë ndarë më shumë se 44 milionë euro.
Sipas dokumenteve të kësaj ministrie që i janë dërguar Radios Evropa e Lirë, vërehet se për çdo muaj është rritur numri i përfituesve, rrjedhimisht edhe shuma e ndarë e mjeteve financiare.
Në muajin janar nga kjo skemë kanë përfituar 36,794 veteranë me një vlerë rreth 6.3 milionë eurosh, kurse në muajin korrik numri përfituesve është rritur në 37.771, për të cilët nga buxheti janë ndarë rreth 6.4 milionë euro.
Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se numri i përfituesve të jashtëligjshëm nga kjo kategori, mund të jetë deri në 19 mijë veta./k.n/