23-11-2024

I rritet dënimi për dhjetë vjet burrit që vrau gruan e tij me sëpatë në Prishtinë 

I rritet dënimi për dhjetë vjet burrit që vrau gruan e tij me sëpatë në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykim e ka dënuar me 35 vjet burgim Izet Godenin, për vrajsen e bashkëshortes me sëpatë.

Aktgjykimi ndaj Godenit u shpall të mërkurën në mungesë të të akuzuarit, edhe pse zyrtarët policorë thanë se i akuzuri gjendet në Pallat.

Në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kalur në paraburgim. Godeni mbetet në paraburgim deri në plotfuqishmëri të vendimit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar me 25 vite burgim Godenin për shkak të veprës penale vrasje e rëndë.

Por, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2023 e kishte kthyer çështjen në rigjykim me arsyetimin se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është i përfshirë në shkelje esenciale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Konkretisht, në vendimin e Apelit thuhet se mbrojtësja e të akuzuarit Godeni, avokatja Myrvete Hasahni nuk ka qenë e pajtimit për pranimin e veprës penale nga i akuzuari dhe se klienti i saj nuk është konsultuar mjaftueshëm lidhur me pranimin e fajësisë. Andaj, sipas Apelit pranimi i fajësisë nga i akuzuari Godeni është bërë jashtë normave ligjore dhe se nuk është mbështetur në të gjitha faktet dhe çështjet që përmban aktakuza.

Sipas aktakuzës, thuhet se më 25 nëntor 2022 rreth orës 4:00, në mënyrë mizore Izet Godeni me sëpatë kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij S.G.

Asnjë koment

Comments are closed.