11-10-2024

Imazhi i Prizrenit si vatër emaniakëve seksualë

Shkruan: Ilir Gashi

 

Përdhunimet dhe ngacmimet seksuale janë prej krimeve më të poshtra që mund t’i kryej ndonjë njeri. Personalisht jam përkrahës i dënimeve më të ashpra për përdhunesit, dënim me vdekje apo burgim i rënduar i përjetshëm. Po ashtu jam pro edhe dënimeve të rënda edhe për ngacmimet verbale seksuale. Liria e lëvizjes, stili i jetesës, stili i veshjes dhe koha e daljes së femrave assesi nuk duhet të jenëtemë diskutimi ose arsyetim për çfarëdo sjelle abuzive të kriminelëve.

Lajmi për tentim dhunimin e turistes së huaj në afërsi të Kalasë së Prizrenit e tronditi jo vetëm opinionin prizrenas. Ky nuk ishte rasti i vetëm, para saj ishte raportuar edhe një rast i ngacmimit në afërsi të Kalasë së Prizrenit. Rasti u kishte ndodhur disa vajzave të qytetit që në orët e mbrëmjes kishin marrë rrugën për në Kala.

Kosova njihet si vend i krimeve të ndryshme por dhunimi seksual nuk është një dukuri e zakonshme për banorët e saj. Nga përvoja jetësore, sendi i parë që më shkoi ndër mend ishte se ky tentim është rast i izoluar dhe i kryer nga ndonjë person me të meta mendore. Këtë mbetet ta vërtetojnë organet e hetuesisë dhe të drejtësisë. E them nga përvoja jetësore sepse banoj në afërsi të lagjes Marash dhe pjesën më të madhe të kohës së lirë e kam kaluar në parkun e Marashit, rrugës “Potoku i zi” e deri në Kala, dhe mund të them se as para lufte e as pas saj ngacmimet seksuale dhe përdhunimet nuk kanë qenë fenomen i njohur për publikun.

Personalisht njoh edhe dhjetëra gra të moshave të ndryshme që çdo ditë frekuentojnë këto rrugë malore dhe asnjëherënuk kanë shfaqur ndonjë ankesë apo shqetësim për ngacmime. Kësaj dua t’ia shtoj edhe përvojën time disa vjeçare në futjen e të dhënave të rasteve kriminale në data bazën e policisë. Dhe lirisht mund të them, ka pasur raste të llojeve të ndryshme, raste çnjerëzore dhe raste me motive të ulëta por rastet e ngacmimeve seksuale dhe përdhunime kanë qenë jashtëzakonisht shumë të rralla. Këtë e dëshmoi edhe Prokuroria dhe Policia e rajonit të Prizrenit. Brenda 3 viteve të fundit janë raportuar 5 raste të ngacmimit seksual. Të moskeqkuptohemi, as njërast i vetëm në njëqind vite nuk mund të shihet me tolerim.

Ajo që na habit është statistika mjaft pretenduese e FEMaktiv për këtë dukuri. Sipas deklaratave trumbetuese të kësaj shoqate, 76% e femrave qenkan ngacmuar seksualisht.

Jemi kureshtarë të dimë se në bazë të çkafit janë dhënë këto shifra të detajuara. Nuk do të doja që ky të jetë vetëm një gaf jo i vogël e qa më pak një përpjekje për të krijuar opinione të paqena në vendin tonë që po lëkundet me probleme të shumta. Aq më pak nuk do të kisha pas dëshirë të besoj se nëfokus ka qenë tërheqja e vëmendjes së donatorëve të fondeve sa për të bërë diçka. Janë konsumuar shumë tema për këtë periudhë të pasluftës e mos ndoshta na ka mbetur edhe kjo?

Nëse bazohemi në statistikat zyrtare të vitit 2011, Komuna e Prizrenit ka gati 190.000 banorë. Minimumi i femrave në moshë që “potencialisht të ngacmohet seksualisht” mund të kap shifrën rreth 40.000, ndërsa 76% e kësaj shifre është rreth 30.000. Tani, në një komunë me 190.000 banorë të ndodhin me dhjetëra mijëra ngacmime seksuale e të mos dimë ne banorët e saj është shumë e habitshme. Së paku çdokush nga ne do ta kishte një rast familjar të prekur nga ngacimi seksual.

Fundja, për një ngacmim aq masiv duhet një ushtri e tërë kriminelësh. Dhe, Prizreni nuk do të njihej si qytet i njerëzve të butë dhe mikpritës, por si qytet i maniakëve seksual!

Asnjë koment

Comments are closed.