Inspektori i ndërtimit në Prizren deklarohet i pafajshëm, investitori e pranon fajësinë për heqje të shenjave zyrtare
Inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Bashkim Krasniqi, të mërkurën, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, i akuzuari Krasniqi ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, duke shtuar se ai nuk e ka kryer këtë vepër penale.
Ndërsa, fajësinë e ka pranuar i akuzuari për heqje të vulave zyrtare apo shenjave, Adil Kukiqi, duke thënë se pendohet për veprën që ka kryer, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pranimi i fajësisë nga i akuzuari Kukiqi nuk u kundërshtua nga prokurori Mehdi Sefa, e as nga gjykatësi Artan Sejrani.
Ky i fundit bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit për këtë të akuzuar do të bëhet pasi që të përfundoj procedura penale edhe ndaj të akuzuarit Krasniqi.
Meqenëse i akuzuari Krasniqi nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Sejrani e ka njoftuar atë dhe mbrojtësin e tij, avokatin Valon Kabashi, se deri në seancën e shqyrtimit të dytë mund të bëjnë kundërshtimet e provave dhe të paraqesin kërkesën për hudhjen e aktakuzës.
Seanca e shqyrtimit të dytë për këtë rast u caktua të mbahet më 26 gusht 2019, në ora 10:00.
Ndryshe në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Bashkim Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i pandehuri Adil Kukiqi akuzohet se ka kryer veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Krasniqi, gjatë periudhës kohore prej majit 2016 e deri në dhjetor 2018, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor pa leje të investitorit firmës “Agro Kuka” me pronar Adil Kukiqi, me qëllim që të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk ndërmerr masa të duhura në kuadër të kompetencave të tij, për mos lejimin e ndërtimit të objektit dy katësh të firmës “Agro Kuka”, i cili nuk kishte leje ndërtimi fare.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Kukiqi, me 28 gusht 2017, pas vendosjes së shiritave nga inspektorët komunal, i njëjti nuk e përfill vërejtjen për ndalimin e punimeve dhe heq shiritin e vendosur duke dëmtuar vulat zyrtare dhe vazhdon ndërtimin e objektit pa leje.
Ndryshe, i akuzuari Krasniqi është duke u gjykuar edhe për një rast tjetër që ka të bëjë me veprën e njëjtë penale, atë të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar./Betimipërdrejtësi