24-04-2024

Ish-drejtori i Urbanizmit në Malishevë thotë se s’ishte në dijeni për inicimin e formimit të zonës ekonomike në këtë komunë

Islam Vrenezi, ish-drejtor i Urbanizmit në Komunën e Malishevës, ka thënë se nuk ishte në dijeni për inicimin e formimit të zonës ekonomike në këtë komunë.

“Pasi që kryetari ka formu komisionin për hartimin e planit zhvillimor komunal, ka mundur që të konsultohet me atë komision për shkak se ata janë hartues të planit zhvillimor komunal, se unë nuk kam qenë në ngjarje kur kam ardhë në atë pozitë”, tha Vrenezi.

Një deklarim të tillë dëshmitari Vrenezi e ka dhënë në seancën e së premtes në gjykimin për korrupsion ndaj Bajram Hasanit, ish–ministër i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Faton Thaqit, ish-zëvendësministër i kësaj ministrie, Ragip Begajt, ish-kryetar i Komunës së Malishevës dhe nënkryetarit të kësaj komune, Hajdin Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bashkë me ta po akuzohen edhe Bashkim Krasniqi, drejtor i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Malë Krasniqi, shefi i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Nazmi Kafexholli, inspektor i Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe Ahmet Rrahmanaj, i cili po akuzohet për shpëlarje të parave.

Dëshmitari Vrenezi tha se nuk ishte në dijeni se cilat procedura është dashtë të merren nga Komuna e Malishevës që pastaj të merrte vendim Qeveria.

I njëjti ka thënë se zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës ishin toka bujqësore.

Paraprakisht, në këtë seancë në cilësinë e dëshmitares është dëgjuar edhe ish-asistentja e ish-ministrit Hasani, Enxhi Stublla, e cila deklaroi se shkresat për inicimin e formimit të zonës ekonomike në Komunën e Malishevës i ka dorëzuar në departamentin përkatës ligjor.

E pyetur nga prokurori special Naim Abazi në lidhje me kërkesën në fjalë, se a e kishte parë dikush tjetër në kabinet apo kishte vendosur ajo vetë që ta dërgojë tek departamenti ligjor i MTI-së, dëshmitarja tha se tash nuk i kujtohet.

“Tash nuk më kujtohet saktësisht sepse shkresat që kanë ardhë në kabinet gjatë ditës kanë qenë të shumta 10-20, edhe nuk ka qenë diçka ndonjë lëndë që me mbajt në mend edhe sot e tutje”, tha ajo.

Tutje, dëshmitarja Stublla ka thënë se ka pasur raste kur e kishte njoftuar ish-ministrin për shkresat e pranuara para se ajo t’i delegonte të njëjtat, mirëpo në rastet kur ish-ministri Hasani nuk ishte në zyrë, ajo vetëm i ka deleguar ato në departamentet përkatëse.

Ndërsa,  e pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili, se si ish-asistente personale e ish-ministrit Hasani a kishte dëgjuar rreth problematikës për krijimin e asaj zone ekonomike në Komunën e Malishevës dhe se a kishte njohuri pse ish-ministri është përfshi në këtë, e njëjta deklaroi se për asnjërën nuk ishte në dijeni.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafegjollii dhe Ahmet Rrahmani.

Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Bersiha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtarë”.

Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.

Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Malë Krsaniqi, pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.

Sipas aktakuzës i akuzuari Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qera pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.

Tutje, sipas aktit akuzues, Ahmet Rrahmanaj nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.

Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Newco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.