19-04-2024

Ish-inspektori në Prizren mohon fajësinë për mos veprim kundër objekteve pa leje dhe me tejkalim

Ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmendin Musliu, është deklaruar i pafajshëm edhe në një rast tjetër ku ai akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ish-inspektori Musliu edhe në tre raste tjera akuzohet për të njëjtën vepër penale, gjykimi i së cilave zhvillohet ndaras, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në rastin, për të cilin të enjten është mbajtur seanca fillestare në Gjykatën Themelore në Prizren, ish-inspektori Musliu, akuzohet se në maj të vitit 2017, kishte lejuar ndërtimin e një objekti pa leje, ndërsa në prill 2017, nuk ka ndërmarr veprime në rastin e një mbindërtimi pa leje, që sipas aktakuzës, ka lejuar ndërtimin edhe të një kati në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Metush Biraj, i akuzuari Musliu, ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, duke shtuar se ai nuk e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Pasi që i akuzuari e ka mohuar fajësinë, gjykatësja Ajser Skenderi, e ka njoftuar atë se brenda afatit ligjor ka të drejtë të paraqes kundërshtimet në lidhje me provat si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, derisa shqyrtimin e dytë gjyqësor e ka caktuar më 21 janar 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 26 nëntor 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Nexhmedin Musliu4

Ai akuzohet se prej datës 23 maj 2017, e në vazhdim në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Isuf Alibajra, ku konstaton se i njëjti nuk posedon leje ndërtimi nga organet kompetente komunale dhe urdhëron ndalimin e punimeve, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e objektit, duke u mjaftuar vetëm me inspektim formal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Isuf Alibajra ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Musliu në prill të vitit 2017, e në vazhdimësi në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Shaqir Rrahmanaj, ku konstaton se i njëjti ka tejkaluar lejen ndërtimore nga B+P+2 në B+P+3 urdhëron ndalimin e punimeve dhe i jep afat pronarit për rrënim vullnetar të mbindërtimit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu më 22 dhjetor 2017, sërish del në inspektim dhe konstaton se jo vetëm që nuk ishin ndërpre punimet, por tani objekti kishte etazhitet B+P+4 dhe ndërtim të shkallëve në pronë publike, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënim, duke u mjaftuar vetëm me inspektim dhe vërejtje formal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Shaqir Rramanaj, ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+4, dhe të uzurpojë pronën publike prej 10m2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.