19-04-2024

Jure Gunjina, shtylla e Rahovecit

Ishte sekonda e fundit e ndeshjes ndërmjet Rahovecit dhe Feronikelit në kuadër të Superligës së Kosovës dhe “vreshtarët” ishin në disavantazh prej tri pikëve (75:72).

Në aksionin e fundit, qendra e Rahovecit, Jure Gunjina, nuk kishte kohë shumë, kështu që me të marrë topin, gjuajti pothuajse nga koshi në kosh për të realizuar, duke bërë që atmosfera të shpërthejë në tribuna.

Tifozët e Rahovecit u gëzuan pamasë, pasi me atë shënim të Gunjinës, rezultati barazohej dhe ndeshja shkonte në vazhdimin 5-minutësh, shkruan sot Koha Ditore.

Pas tërë këtij gëzimi që zgjati për pak minuta, erdhi zhgënjimi. Arbitrat konstatuan se Gunjina nuk ishte liruar me kohë nga topi dhe për këtë arsye fitorja do t’i takonte Feronikelit, që këtë ndeshje e luante në palestrën e Rahovecit “Mizahir Isma” si vendas.

Për Feronikelin, që ka debutuar këtë edicion në elitën e basketbollit kosovar, kjo ishte fitorja e parë dhe jo një dosido. Ndërkohë Rahoveci përjetoi humbjen e parë pas një starti perfekt ku e mposhti edhe kampionen në fuqi, Sigal Prishtinën. Gunjina, i cili për herë të parë në karrierë realizoi një kosh të tillë, ende ndihet keq që pikët nuk u pranuan.

Sipas tij, ky kosh do të ishte më i miri i këtij edicioni, ndoshta jo vetëm në Kosovë. Megjithatë, për Gunjinan ky do të jetë një kujtim që do ta mbajë në mend përgjithmonë, pavarësisht shijes së hidhur që pati në fund.

“Një kosh të tillë kurrë nuk e kam shënuar në karrierë deri në ndeshjen me Feronikelin. Ndodhi gjithçka shumë shpejt dhe kjo është një dëshmi se nuk duhet të dorëzohemi deri në sekondën e fundit të ndeshjes”, shprehet Gunjina. “Ndjenja ishte e jashtëzakonshme, saqë ende nuk kam fjalë për ta përshkruar. Por më vjen keq që pikët nuk u pranuan. Pavarësisht, të gjithave, ai kosh do të mbahet në mend për një kohë shumë të gjatë. Po të ishte pranuar, do të ishte koshi i vitit”.

Gunjina (203 cm), këtë edicion është njëri prej pesë përforcimeve të huaja te Rahoveci dhe ndër më të dalluarit. Ai është treguar përforcim i qëlluar, pasi është koshashënuesi më i mirë me mesatare prej 16.5 pikëve e 8.5 kërcimeve për ndeshje.

Një mesatare të tillë, Gunjina pati edhe në dy ndeshjet historike që Rahoveci i luajti në kuadër të raundit eliminator për FIBA Europe Cup, por që u eliminua nga ClujNapoca e Rumanisë./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.