25-04-2024

Kërkohet anulimi i vlerësimit të teksteve shkollore shkaku i shkeljeve të shumta

Anulim të procesit të vlerësimit për tekstet e reja shkollore është duke kërkuar ish-anëtari i Këshillit të Ekspertëve për Planprograme dhe Tekste Shkollore (KEPTSH) Fadil Grajçevci, i cili ka dhënë dorëheqje ditë më parë nga ky këshill.

Ai thotë se vendosi të largohej pasi i gjithë procesi është përcjellë me shumë shkelje. Kthimin e procesit në pikën zero po e kërkon pasi, sipas tij, nuk duhet të lejohet që nxënësit të mësojnë me këta libra, për vlerësimin e të cilëve janë bërë shumë shkelje.

Vlerësimi i teksteve ka nisur në shkurt të këtij viti. KEPTSH-i e ka pasur për detyrë të shqyrtojë dhe miratojë raportet vlerësuese të recensentëve (vlerësuesve të teksteve).

Vërejtjet e Grajçevcit lidhen me mënyrën e zgjedhjes së recensentëve, favorizimin e një shtëpie të caktuar botuese, përdorimin e standardeve të dyfishta gjatë vlerësimit, dhe mungesën e gjuhëtarëve në komisione vlerësuese, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas Udhëzimit Administrativ për recensentët, vlerësimin dhe lejimin e teksteve shkollore, shtëpitë botuese i dorëzojnë në MASHT dorëshkrimet anonime dhe dokumentacionin plotësues gjatë konkursit. Dorëshkrimet është dashur të jenë të koduara në mënyrë që recensentët të mos i dinë shtëpitë botuese.

Por ish-anëtari i KEPTSH-it, Fadil Grajçevci, thotë se në bazë të vlerësimeve njëra nga shtëpitë botuese ka dalë fituese me 80 për qind të teksteve. Për këtë ka shprehur dyshime se nuk ka shkuar gjithçka si duhet dhe se recensentët e kanë favorizuar.

Asnjë koment

Comments are closed.