15-11-2024

Këta janë tre zyrtarët policorë që u suspenduan nga Inspektorati Policor

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve, bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre punonjësve të Policisë së Kosovës.

Gazeta Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për Lavdim Latifin, nga stacioni policor jugu, Almedin Halimi, nga njësia e trafikut në Prishtinë dhe Mërgim Ademi, po ashtu nga njësia e trafikut në Prishtinë.

Ata janë të dyshuar për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

“Informacionet e para lidhur me këtë rast IPK i ka pranuar nga Policia e Kosovës dhe pas veprimeve fillestare hetimore dyshohet se dy zyrtarë policorë nga njësia e trafikut të kryeqytetit dhe një zyrtar tjetër i Stacionit Policor Jugu në Prishtinë kanë tejkaluar autorizimet e tyre të përdorimit të forcës”, thuhet në njoftim e IPK-së.

Incidenti raportohet të ketë ndodhur në mbrëmjen e datës 11.11.2024 në Fushë Kosovë me rastin e një ndalimi në trafik të një qytetari nga zyrtarët policorë.

Hetuesit e IPK-së në konsultim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt sqarimit të rrethanave të këtij incidenti.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.