Kim Mehmeti: Të shkohet në zgjedhje, LDK-ja e sheh shtetin si grazhd, VV-ja e ka humbur lojën
Shkrimtari Kim Mehmeti po e sheh vetëm një rrugëdalje nga bllokada politike e krijimit të koalicionit të ri qeveritar. Zgjedhjet e reja po i sheh si mundësinë më të mirë për ta çuar përpara Kosovën.
“Sipas meje, në rrethana të tilla, zgjedhjet janë zgjidhje, sepse popullit i jepet mundësia ta korrigjojë vetveten, duke i çuar drejt zhbërjes ato parti që e ‘zhbënë‘ vendin”, vlerëson Mehmeti në një intervistë me shkrim për Gazetën Express.
Në këtë situatë, sipas Mehmetit, LDK’ja po e sheh Shtetin si grazhd (vend ku iu vendosen ushqimet kafshëve) për t’i ushqyer të fortit e Partisë. Vetëvendosjen po e sheh si parti që Shtetin po e sheh si kopsht që duhet mirëmbajtur e pasuruar.
Express: Si e shihni zgjidhjen e bllokadës së koalicionit ndërmjet LDK’së e VV’së, të cilat janë bllokuar rreth çështjes së Presidentit, i cili do të votohet në fillim të vitit 2021?
K. Mehmeti: Mendoj se bllokada nuk ka të bëjë vetëm me çështjen e presidentit, por është më e thellë se aq dhe ka të bëjë edhe me përballjen e dy mendësive politike: atë të LDK’së, që shtetin e sheh si grazhd nga i cili duhet të ushqehen të fortit e partisë, dhe mendësinë e VV’së, që shtetin e sheh si kopsht që duhet mirëmbajtur dhe pasuruar.
Andaj, LDK-ja, si të gjitha partitë e tjera që e kanë zhvatur Kosovën, e ka frikë të vërtetën për vetveten. Andaj, të ardhmen e vendit e barazon me të nesërmen e drejtuesve të saj, me postet që atyre do u mundësonin të mbroheshin nga e vërteta për partinë dhe vetveten.
Dhe me ketë zvarritje të marrëveshjes për formimin e qeverisë, LDK’ja e arriti suksesin parësor të saj, që para syve të popullit VV’në ta barazojë me vetveten, ta tregojë përpara popullit si parti të njëjtë me të gjitha të tjerat, parti që më të rëndësishme i ka postet sesa pozitën mjerane të Kosovës.
Andaj, kam përshtypjen se që tani VV’ja e ka e humbur lojën me LDK’në. Dhe është duke e humbur lojën, mbase pse LDK’a ka zgjedhur që në vend se ta mbrojë të mirën e Kosovës, të luftojë për mirëqenien e drejtuesve të saj. Pra, VV’ja është përballë një LDK’je e cila nuk do të lejojë të ndodhë asnjë ndryshim i rëndësishëm në Kosovë, sepse ajo nuk ka forcë ta ndryshojë vetveten.
Më në fund, VV’ja është përballë të pamundurës – ta bëjë ‘çkapjen’ e shtetit me një nga ‘kapësit’ e saj më të egër, siç është LDK’ja? Dhe me diçka alogjike: që korrupsionin ta luftojë edhe me ata që janë bërë kapitalistë duke u marrë me politikë. Pra, drejtuesve të VV’së u ka rënë në hise të shtiren se nuk e dinë që vetëm hajduti mund të pasurohet nga politika.
Express: Vetëvendosje po këmbëngul se për Presidentin është herët të flitet, ndërsa LDK’ja po kërkon tash të definohet çështja e Shefit të Shtetit. Si pasojë e kësaj, po përmenden edhe zgjedhjet. A duhet të jetë opsion që të shkohet përsëri në votime për shkak të mospajtimeve të dy partive, VV’së e LDK’së?
K.Mehmeti: LDK-ja nuk e ka hallin e përcaktimit të çështjes së Shefit të Shtetit, por definimin e të ardhmes së disa prej drejtuesve të saj, që kanë të kaluar korruptive politike. Pra, ajo do që të sigurojë sa më shumë poste, që do ta mbrojnë atë nga e shkuara e saj keqqeverisëse.
Ndërkohë nuk duhet harruar se edhe VV’ja parazgjedhore u bë strehimore e disa personaliteteve, të cilat, që ditën kur janë lindur, kanë dënesur partiakisht dhe që sot nuk dinë të bëjnë asnjë punë tjetër, përpos të shëtisin nga njëra në tjetrën parti, duke e pasur me vete thesin e përhershëm me vota.
Por e di se është e lehtë të gjykosh e të vlerësosh duke qenë vëzhgues. Andaj e them: Mos qofsh në lëkurën e Kryetarit të VV’së. Sinqerisht më dhimbset, sepse më ngjan në kopshtar që dëshiron ta ringjallë kopshtin e lënë me vite pas dore, e ku kanë kullotur lirshëm ‘thi’ e ‘dhi’, kopsht që është mbushur përplot me kullosa të egra. Kuptohet, si kopshtar i tillë, nuk e ke lehtë t’i ndalosh ‘kafshët’ të vijnë të kullosin aty, ku vite me radhë kanë ngrënë të papenguara nga askush dhe është e pamundur të mos i përgjakësh duart duke e pastruar lulishten nga kullosat gjemborë.
Sipas meje, në rrethana të tilla, zgjedhjet janë zgjidhje, sepse popullit i jepet mundësia ta korrigjojë vetveten, duke i çuar drejt zhbërjes ato parti që e ‘zhbënë‘ vendin.
Express: A e shihni një kandidat konsensual për President apo duhet të vazhdojë tradita e votimit të Shefit të Shtetit një person politik?
K.Mehmeti: Sipas meje, duhet t’i jepet fund një herë e mirë lojës ndërpartiake për të zgjedhur president edhe njerëz që as të afërmit e tyre nuk do t’i kishin zgjedhur për kryefamiljar. E kjo bëhet shumë thjesht: me një ndryshim kushtetues që do të përcaktonte që Presidentin e vendit ta zgjidhte populli.
Por, siç duket, këtë nuk e do asnjë parti, sepse kështu do u merrej një nga postet e rëndësishme që të mbajnë pranë grazhdit të shtetit, një nga postet që e forcojnë partinë, por e dobësojnë shtetin.
Express: Kush është përgjegjës, nëse vendi shkon në zgjedhje si pasojë e mospajtimeve partiake, pasi votuesit më 6 tetor s’kanë votuar për të shkuar prapë në zgjedhje, por për t’u formuar institucionet?
K. Mehmeti: Përgjegjësinë mund ta përcaktojë vetëm populli. Dhe përgjegjës do të jetë ai që do t’i humbiste ato zgjedhje.
Por, sidoqoftë, në vendet ‘hajdutokrate’, siç është edhe Kosova, zgjedhjet e shpeshta janë varfërim i buxhetit shtetëror, por edhe pasurim i vetëdijes dhe kulturës politike shumëpartiake si dhe pastrim i vendit nga ‘llomet’ partiake. Pra, ato mund të jenë mundësi që populli t’i sheh e t’i korrigjojë gabimet e veta.