Kinematografia shqiptare në zi, ndahet nga jeta aktorja e “14 vjeç dhëndër”
Ka qenë kolegia e saj në Teatrin e Kukullave, aktorja e njohur Shegushe Bebeti që virtualisht me një postim në rrjetin social Facebook ka ndarë me të gjithë lajmin e ndarjes nga jeta të Mira Mingës.
Kush e kujton filmin shqiptar “Përrallë nga e kaluara”, batutat e forta dhe episodet që edhe sot nga shumëkush kujtohen përmendësh! Kotja, personazhi i gruas ngatërrestare, thashethemaxhije, interpretohej asokohe nga Mira Minga Jupi, e cila u nda nga jeta sot. Aktorja jetonte prej 19 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me familjen e saj, kur është mësuar lajmi i trishtë i largimit nga jeta.
“Oh sa dhimbje…oh sa lot…nuk gjej dot fjalë ta përshkruaj…sapo më erdhi lajmi nga Amerika, është ndarë nga jeta mikja ime e shtrenjtë Mira Minga Jupi, aktorja e mrekullueshme e Teatrit të Kukullave, gruaja ideale, nëna e jashtëzakonshme që do t’i mungojë aq shumë familjes.
Mira e talentuar, aq bujare, aq punëtore e zemërbardhë, u largua në Amerikë para 19 vitesh e sot largohet nga jeta, e ne nuk kemi mundësi t’i japim lamtumirën e fundit…qofsh e parajsës mikja ime e mirë e dheun e huaj e paç të lehtë.
Do të më mungosh aq shumë e kafenë nuk do ta pimë më bashkë nëpërmjet skype, do të kujtoj gjithmonë me shumë dashuri e dhimbje. Ngushëllime familjes e miqve që të deshën aq shumë“, shkruan kolegia e saj, aktorja Shegushe Bebeti./noa.al/