23-11-2024

Koalicionet paszgjedhore në rajonin e Prizrenit: PDK, LDK, LVV dhe AAK

Marrëveshje të fshehta, përjashtime nga subjektet politike dhe shumë negociata të hapura e të fshehta i kanë karakterizuar zgjedhjen e kryesuesve të kuvendeve komunale.

Përfituesja më e madhe pas zgjedhjeve lokale pa dyshim ka qenë Partia Demokratike e Kosovës, i cila ka arritur koalicione në shumë komuna, ku nuk i ka fituar zgjedhjet.

Prishtinë – LDK-ja që ka fituar zgjedhjet për kryetar ka arritur të zgjedh edhe kryesuesin e Kuvendit Komunal, por pasi është arritur marrëveshja me PDK-në. Ende nuk dihen saktë detajet e ndarjes së pushtetit në kryeqytet, por dihet që PDK do të merr një pjesë të madhe të “tortës” edhe për shkak të numrit të asamblistëve që ka.

Prizren – PDK ka fituar zgjedhjet për kryetar të komunës, por me disa marrëveshje joformale ajo ka marrë edhe kryesuesin e Kuvendit. Asamblistë të LVV-së e LDK-së pa miratimin e partive të tyre kanë votuar kandidatin e PDK-së duke zgjidhur kështu problemin e kryesuesit. PDK në Prizren ka koalicion me AAK-në, NISMËN e AKR-në derisa po tenton të lidh marrëveshje edhe me LDK-në.

Pejë – LDK ka kryetarin e komunës dhe kryesuesin e asamblesë. Në këtë komunë LDK ka koalicion me PDK-në dhe disa parti tjera të vogla.

Gjilan – LVV ka kryetarin e komunës dhe sot ka arritur koalicion qeverisës me PDK-në. LVV ka marrë edhe kryesuesin e Kuvendit Komunal derisa PDK do të merr katër drejtori dhe nënkryetarin e komunës.

Ferizaj – Në Ferizaj PDK ka fituar zgjedhjet për kryetar qysh në raundin e parë, derisa kryesuesin e Kuvendit Komunal në këtë komunë e ka marrë AAK-ja.

Mitrovicë – Në Mitrovicë PDK ka kryetarin e komunës dhe kryesuesin e asamblesë. LDK në Mitrovicë ka akuzuar disa zyrtarë të lartë të saj për bashkëpunim me PDK-në duke i përjashtuar nga partia.
Gjakovë – AAK ka kryetarin e komunës, derisa PDK ka kryesuesin e Kuvendit komunal. AAK, PDK, PSHDK kanë koalicion në këtë komunë.

Podujevë – LVV në Podujevë ka kryetarin e komunës, derisa pas shumë tentimeve kryesues i asamblesë është zgjedhur asamblisti i PDK-së, duke evituar zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Suharekë – AAK ka kryetarin dhe kryesuesin e kuvendit komunal. Në këtë komunë AAK ndan pushtetin me PDK-në.

Viti – LDK në Viti ka kryetarin e komunës dhe gjashtë drejtori, derisa PDK pos kryesuesit nga marrëveshja për koalicion me LDK-në ka marrë edhe pesë drejtori komunale.
Klinë – Në këtë komunë ka vazhduar koalicioni i katër viteve më parë. AAK ka kryetarin derisa LDK përsëri ka marrë kryesuesin e Kuvendit komunal.

Istog – Në Istog LDK ka kryetarin derisa AAK si parti opozitare ka marrë kryesuesin e asamblesë komunale.

Rahovec – Derisa në këtë komunë AAK ka kryetarin e komunës derisa LVV opozitare ka marrë kryesuesin e asamblesë.

Malishevë – NISMA e cila ka kryetarin e komunës, i ka “dhuruar” kryesuesin një asamblisti që vinte nga LDK. Pas kësaj LDK e cila nuk është pjesë e koalicionit në këtë komunë ka përjashtuar asamblistët që u bënë pjesë e kësaj marrëveshje përfshirë edhe kryesuesin e ri të kuvendit komunal.

Dragash – LDK ka fituar zgjedhjet për kryetar të komunës, derisa pas marrëveshjes me LVV-në kjo e fundit ka marrë kryesuesin e asamblesë dhe disa drejtori.

Kaçanik – PDK ka kryetarin dhe kryesuesin e kuvendit komunal. Në këtë komunë ka marrëveshje koalicioni mes PDK-së e AAK-së.

Hani Elezit – PDK ka kryetari dhe kryesuesin e asamblesë. Ndonëse zyrtarisht nuk janë në koalicion, kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi ka emëruar dy drejtorë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një nga Lëvizja Vetëvendosje. Kjo e fundit është distancuar nga veprimi i zyrtares së saj.

Kamenicë – LVV ka kryetarin e komunës dhe kryesuesin e asamblesë. Në këtë komunë LVV ka pasur koalicion parazgjedhor me AAK-në.

Vushtrri – PDK ka kryetarin dhe kryesuesin e kuvendit komunal. PDK ka pasur koalicion parazgjedhor me AAK-në, Nismën e KDTP-në.

Fushë Kosovë – LDK ka kryetarin e komunës, derisa kryesuesin e ka marrë Partia e Drejtësisë me të cilën LDK është edhe në koalicion qeverisës.

Drenas – PDK ka kryetarin e kryesuesin e kuvendit komunal.

Skenderaj – PDK ka kryetarin e kryesuesin e kuvendit komunal.

Lipjan – LDK ka kryetarin e kryesuesin e kuvendit komunal.

Deçan – AAK ka kryetarin e kryesuesin e asamblesë.

Junik – LDK ka kryetarin e kryesuesin e kuvendit komunal.

Shtime – LVV ka kryetarin dhe kryesuesin e Kuvendit komunal.

Obiliq – Iniciativa qytetare e Xhafer Gashit ka kryetarin dhe kryesuesin e kuvendit komunal.

Në komunën e Mamushës qeveris KDTP derisa në komunat tjera qeveris Lista serbe./telegrafi/

Asnjë koment

Comments are closed.