Komuna e Prizrenit, të cilën e udhëheq Mytaher Haskuka mezi ka arritur të radhitet në mesin e tabelës ndër komunat e Kosovës për vitin 2019, sa i përfaqësimit gjinor.
Ndër fushat e Ministrisë së Pushtetit Lokal (MPL), ku prezantohen rezultatet e komunave nëpërmjet 19 fushave të kompetencave, që janë nën përgjegjësi të tyre, paraqitet edhe performanca për përfaqësim të barabartë gjinor, në të cilën matet qasja e të dy gjinive në programet për zhvillim social, ekonomik, si dhe në aktiviteteve komunale. Po ashtu, treguesit matin edhe shkallën e përfaqësimit të të dy gjinive në institucionet lokale, trupat e kuvendeve komunale, etj.
LEXO EDHE:
Prizreni me performancë të dobët për Arsimin parauniversitar (Dokument)
Para se të vinte në pushtet, Haskuka pat premtuar emërimin në kuotën 50 % të femrave në udhëheqje të drejtorive komunale, por vitin e kaluar kishte vetëm dy në drejtimin e 13 prej sektorëve të komunës. Kësisoj në drejtoritë e Komunës së Prizrenit kanë dominuar burrat.
Në mesin e 36 komunave të Kosovës, Prizreni radhitet në mes të tabelës, apo në vendin e 17-të, me 42.1 % të kritereve.
Siç shihet edhe në tabelë, para Prizrenit janë jo vetëm disa komuna të mëdha, si Gjakova, Mitrovica, Prishtina, etj., por edhe ato më të vogla si Juniku, Deçani, Rahoveci, etj.
Ndryshe edhe opozita prizrenase në deklarimet e saj, disa herë e ka kritikuar kryetarin Haskuka për mospërmbushje të premtimit rreth përfaqësimit gjinor. Adresime të tilla, së fundit pati edhe me rastin e shkarkimit të disa drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve, ku nga shkollat janë larguar 5 femra, ku sipas opozitës, jo vetëm duke mos respektuar premtimet nga Haskuka për përfshirjen e sa më shumë femrave, por as kuotën e paraparë për barazi gjinore.
Komuna e Prizrenit, po ashtu nuk ka dalë mirë as në disa fusha të tjera të qeverisjes. Pos mungesës së performancës në fushën e përgjegjshmërisë, asaj për Kulturë, Rini e Sport ku është radhitur ndër komunat e fundit në Kosovë, pastaj mungesës së transparencës, Prizreni nuk ka dalë mirë edhe sa i përket arsimit parauniversitar, asaj në shëndetësinë primare, infrastrukturën rrugore, etj.
Në raportin e MPL-së paraqitet se përfaqësimi gjinor në nivel vendi tek emrat e rrugëve komunale është tejet i ulët. /GazetaePrizrenit. net/
LEXO EDHE:
Komuna e Prizrenit në vendet e fundit në Kosovë për Kulturë, Rini e Sport (Dokument)