Konfirmohet aktakuza ndaj ministres Nagavci për posedim të sprejit në Kuvend
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim me të cilin ka refuzuar kërkesën e ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, në rastin ku ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Nagavci po akuzohet se më 21 mars të 2018-ës, gjatë mbajtjes së seancës në Kuvendin e Kosovës në të cilën ishte hedhur gaz lotsjellës, gjatë kontrollimit nga policia asaj i ishte gjetur një sprej ngjyrë e gjelbër me pjesë spërkatëse të zezë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata ka konsideruar se kërkesa e të pandehurës Nagavci për hudhje të aktakuzës nuk është e mbështetur në asnjë provë dhe nuk mund të merret vendim për hudhje të aktakuzës.
“Pretendimi i të pandehurës që në këtë fazë të hedhet aktakuza, del të jetë i pabazuar ngase gjykata vlerëson se duhet të vazhdohet me procedurën”, thuhet në vendim.
Po ashtu, sipas këtij vendimi Gjykata Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Prokuroria nëse ekzistojnë prova të tjera që do të mund të administroheshin në këtë çështje, të parashtrohen, në mënyrë që të sqarohen rrethanat lidhur me kryerjen e veprës penale të parashtruar me aktakuzën e Prokurorisë.
Tutje, në vendim thuhet se nga kundërshtimi i të pandehurës, gjykata vlerëson se nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme se përse provat në të cilat mbështetet aktakuza janë thelbësisht të pambështetshme dhe se ato i përkasin kategorisë nga paragrafi 1.3, i nenit 249 të Kodit të Procedurës Penale.
Lidhur me këtë vendim, “Betimi për Drejtësi” ka provuar të kontaktojë edhe ministren Nagavci, mirëpo e njëjta deri tani nuk është përgjigjur.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ngritur më 30 korrik 2019, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Nagavci po akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Aktakuza thotë se më 21 mars 2018, e pandehura Nagavci në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur në posedim sprejin me ngjyrë të gjelbër, me pjesë spërkatëse të zezë me mbishkrimin “NATO American Style”.
Tutje, në aktakuzë thuhet se deri sa gjatë mbajtës se seancave në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku ka pasur hudhje të gazit lotsjellës nga disa deputetë, policia për të parandaluar hudhjen e serishme të gazit ka kontrolluar në mënyrë fizike nëpër trup gjithë deputetët.
E gjatë kontrollit trupor të të pandehurës Nagavci, akti akuzues thotë se asaj i është gjetur dhe sekuestruar spreji i lartcekur.
Me këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.