Kosova mund edhe Çekinë, vazhdon drejt Evropianit
“Dardanët” mposhtën Çekinë, me rezultat 2-1, të shtunën në ‘Fadil Vokrri’, në kuadër të Grupit A të kualifikueseve për Evropianin 2020, raporton RTKLive.
Futbollistët e Kosovës të përkrahur fuqishëm nga “Dardanët” mposhtën skuadrën e madhe evropiane, Çekinë, duke bërë hapin gjigant në garën për të siguruar një vend që çon në EURO 2020.
Seria pozitive e Kombëtares sonë nën drejtimin e Berarad Challandës, ka vazhduar edhe në duel me çekët.
Skuadra mysafire e nisi më mirë lojën dhe përmes Patrik Schick (16’) kaluan në epërsi prej 0-1. Por gëzimi i çekëve zgjati vetëm katër minuta kur Vedat Muriqi barazon shifrat në 1-1, dhe ndez stadiumin “Fadil Vokrri”. Me rezultatin e barabartë 1-1, skuadrat shkuan në pushim.
Lojë dramatike është zhvilluar në fraksionin e dytë. “Luanët” e Kosovës e kërkonin vazhdimisht golin e dytë dhe të fitores, të cilën e gjetën më ane të mbrojtësit Mërgim Vojvoda (66’), i cili shënoi pas asistimit te Valon Berishës.
Deri në fund të ndeshjes, çekët më të gjitha forcat bën presion drejt portës sonë, por pa mundur të gjejnë golin e barazimit.
Përfundimisht Kosova mposht Çekinë, me rezultat 2-1, dhe tani kryeson grupin A me tetë pikë të tubuara, dy më shumë së Anglia dhe Çekia. Anglezët sonte ndeshen me Bullgarin. Kujtojmë se pas tri ditësh Kosova do të ndeshet me “Tre Luanët” në Southampton.