Krushjanët krenarë me “Zgjoin”
Filmi Zgjoi posi që bëri jehonë, rrëmbeu edhe disa nga çmimet kryesore të festivaleve prestigjioze në Botë.
Megjithatë, ky film që tashmë ka nisur të shfaqet edhe në vend, nuk do ta kishte këtë jehonë, pa rrëfimin për vuajtjet dhe këmbënguljen e Fahrije Hotit.
Ndaj, pak apo hiç askush nuk besoi në ngritjen e kooperativës bujqësore, të cilën e nisi pothuajse e vetme para 17 vjetësh, Fahrije Hoti në Krushën e Madhe, njofton Klan Kosova.
Bashkëfshatari i Fahrijes, Ejup Hoti rrëfen për Klan Kosova, se si nuk kanë besuar që Fahirja do të arrinte kaq shumë, dhe druanin që ajo mund të dështonte.
Ejup Hoti, shton se ata të cilët e fyen Fahrijen kanë bërë shumë gabim, ngase kjo grua tashmë ka punësuar mbi 70 gra dhe të gjitha rendimentet i dërgojnë në sipërmarrjen e saj.
Derisa, kreu i fshatit Selami Hoti pranon se mentaliteti patriarkal vështirë i kalueshëm, pavarësisht se Krusha ka nxjerr intelektualë, ndaj edhe Fahrija sikurse mbi 140 gra të tjera pa burra të cilave iu vranë në luftë u përballen me paragjykime të shumta.
Ndonëse jo të gjithë bashkëfshatarët kanë arritur ta shohin filmin Zgjoi, nga informacionet të cilat i kanë për suksesin e këtij filmi, thonë se ndjehen tejet krenar me fqinjën e tyre.