21-11-2024

Kryetari Haskuka, i mbyllur (dokument)

Ndonëse kur ishte në opozitë premtoi transparencë, siç pat thënë “radikale”,  sapo erdhi në pushtet, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka veproi krejt ndryshe.

Kjo është dokumentuar edhe në dy matjet e bëra sa i përket transparencës, përkatësisht nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe USAID-i amerikan, ku krahasuar me komunat tjera të vendit, Prizreni nuk ka dalë aspak mirë, meqenëse është ranguar nën mesatare, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Fillimisht nisi me ndonjë ftesë për media gjatë raportimit të drejtorëve,  por më pas Haskuka është treguar jo transparent në marrjen e vendimeve në Ekzekutivin e Prizrenit. Ka një kohë, që ai gazetarët i mban larg vendit ku “thyhen arrat”, tek caktohen projektet prioritare dhe tregohet për shumën e tyre.

Pavarësisht punës në disa organizata ndërkombëtare, të cilat pothuajse vazhdimisht janë deklaruar për rëndësinë e transparencës në demokraci, Haskuka si kryetar më tepër preferon të komunikojë përmes “facebook-ut”, përfshirë edhe faqen zyrtare të Komunës, formë kjo që më shumë është propagandë se sa informim.

Lexo edhe:

Reagon ndaj Komunës, këngëtari Kiseri: Marre ju qoftë për festivalin “Zambaku i Prizrenit”

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarët në Prizren, në vlerësimet e tyre për portalin “Gazeta e Prizrenit”, kohë më parë nuk kanë dhënë notë të lartë për punën e qeverisjes lokale sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, transparencës e llogaridhënies.

Ndaj një forme të tillë të veprimit, ka reaguar edhe aktivistja e shoqërisë civile, Elmendina Baxhaku-Dorambari, që veprimet e Haskukës i krahasoi me ato të ish-kryetarit Ramadan Muja, i cili megjithatë pas presionit të vazhdueshëm, përfshirë edhe atë të ish-forumit “Transparenca” pat lëshuar pe, duke “hapur” ekzekutivin.

“Koha na tregoj që nuk ka dallime! Ndryshimet e ndodhura në Prizren, nuk po japin rezultatet e pritura nga qytetarët. Kërkesat minimale të asaj kohe, vazhdojnë të jenë kërkesa minimale edhe pas 3 vjet qeverisjeje nga Vetëvendosja! Kjo qasje që mbledhjet (takimet) e kryetarit të komunës me drejtorë të drejtorive komunale të jenë të mbyllura për publikun, po na tregon që koha kalon por dallimet nuk po vërehen”, ka shkruar ndër tjera ajo.

Mungesa e transparencës është theksuar edhe në raportin e MPL-së, ku më mesin e 36 komunave të vendit, Prizreni është radhitur në pjesën e poshtme të tabelës, apo në vendin e 22-të, më poshtë se të gjitha komunat e rajonit tonë, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Po ashtu, sa i përket transparencës kjo komunë, pothuajse ngjashëm ka dalë edhe në një raport studimor të USAID-it amerikan, meqenëse në mesin e komunave të Kosovës, Prizreni rangohet në vendin 20, apo në “zonën e kuqe”.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Realisht asnjë subjekti tjetër nuk i shihet për të madhe për shumë gjëra, sa Vetëvendosjes dhe kryetarit Haskuka, për shkak se kur ishin në opozitë kishin kritikuar më së shumti PDK-në dhe partnerët e saj, duke premtuar ndryshime të diskursit në qeverisjen lokale. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.