Kryetari i SBASHK-ut thotë se i akuzuari Rexhepi e quajti tradhtar dhe i nervozuar e kapi për dore

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj ka thënë se është ndjerë i kanosur dhe frikësuar nga i akuzuari Musli Rexhepi.

Këtë deklarim Jashari e dha të premten në rastin ku Rexhepi po akuzohet se kishte tentuar ta sulmonte fizikisht të njëjtin gjatë një mbledhje në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë në kohën kur shkollat ishin në grevë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Jasharaj tha se në ditën kritike kishte qenë në një aktivitet të përditshëm në cilësinë e kryetarit të këshillit dhe pasi kishte përfunduar ky takim i akuzuari kishte tentuar ta sulmonte.

“Jam nis për me dal jashtë dhe për të vazhduar, i bindur se nuk do të ndodhë asgjë, në atë moment i pandehuri është ngrit dhe me dorën e majtë, më ka kap dorën time të majtë dhe me plot nervoz më ka akuzuar me fjalët “tradhtar, tradhtar”, nuk e përjashtoj se ai ka dashur të më godasë me dorën e tij të djathtë. Fatmirësisht kanë hyrë në mes shoqëruesit e mi, anëtarët e këshillit grevist dhe unë kam filluar të dal nga salla ku mbahej takimi për t’i ikur çdo përplasje tjetër”, tha ai.

I pyetur nga mbrojtësi i tij, avokat Xhevdet Smakiqi, se a është e saktë se ditën kritike i akuzuari i ishte drejtuar me fjalët “kam me të vra”, Jashari tha se kishte dëgjuar vetëm fjalën “tradhtar”.

Paraprakisht, në seancën e sotme palët në procedurë kanë dhënë fjalët hyrëse.

Prokurori Blerim Igrishta ka thënë se Prokuroria konsideron se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se i akuzuari Rexhepi ka kryer veprën penale të përshkruar si në aktakuzë.

“Për këtë ngjarje do të kemi mundësi të dëgjojmë dëshmitarët të cilët do të përshkruajnë ngjarjen e ditës kritike, po ashtu kësaj ngjarje ja kemi bashkangjitur edhe video incizimet nga vendi i ngjarjes, ku shihet shumë mirë e që besojmë se pas dëgjimit dhe elaborimit të provave këtu para jush do ta bindim gjykatën se i akuzuari ka kryer veprën penale”, tha prokurori Igrishta.

Ky deklarim i prokurorit u përkrah edhe nga i dëmtuari Jasharaj, i cili shtoi se vazhdon të ndjehet i dëmtuar në këtë çështje.

Në anën tjetër të akuzuarit Rexhepi, avokatiTomë Gashi, tha se gjatë këtij shqyrtimi do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

“Gjatë këtij gjykimi do të vërtetohet, një miliard përqind që Musli Rexhepi nuk ka kry asnjë vepër penale, por është viktimë e sistemit juridik dhe gjatë këtij gjykimi gjykata do të vërtetoj se z.Musli Rexhepi nuk ka kryer asnjë vepër penale”, tha avokati Gashi.

E këtë deklarim e përkrahi edhe i akuzuari Rexhepi.

Seanca e radhës për këtë çështje u caktua të mbahet më 23 nëntor 2022.

Ndryshe, më 7 shtator të këtij viti i akuzuari Rexhepi ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet barrë.

Sipas aktakuzës më 5 shtator 2022, rreth orës 11:40, i akuzuari pasi që kishte shkuar në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë për ta dërguar mbesën e tij për mbajtjen e mësimit kur e ka vërejtur se mësimi nuk po mbahet dhe arsimtarët janë në grevë, i njëjti ka hyrë brenda në shkollë ku ishte duke u mbajtur takimi i grevistëve me kryetarin e sindikatës dhe me të përfunduar ky takim derisa i dëmtuari Rrahman Jasharaj, kryetari i SBASHK-ut po dilte nga takimi, i akuzuari duke përdorur forcë dhe kanosje serioze me qëllim të pengimit të grevës, në mënyrë të kundërligjshme e ka kanosur tani të dëmtuarin me fjalët “ O plak po na i len fëmijët pa shkollë, kam me të vra”.

Aktakuza thotë se i akuzuari tenton që ta sulmojë, por ndalohet nga të pranishmit dhe me këtë rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e pasigurisë.

Me këtë, Rexhepi akuzohet se ka kryer veprën penale “Cenim i të drejtës në grevë”, nga neni 221, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë