Ku gjendet Albin Kurti?
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot është parë në mëngjes në Prishtinë, por ftesës së presidentit Thaçi për një takim në orën 13:30 i është përgjigjur duke thënë se ndodhet jashtë Prishtinës.
I vetëdijshëm për fillimin e rrjedhjes së afatit kohor prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë, Kurti si duket po mundohet të përfitojë sa më shumë në kohë për të arritur një marrëveshje eventuale për formimin e Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje dje ka djegur njërën prej pozitave kryesore të negocimit me LDK-në, duke e votuar Glauk Konjufcën për kryeparlamentar, pozitë e premtuar për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje është ftuar sot nga presidenti Thaçi në takim konsultativ për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.Presidenti Thaçi në ftesën dërguar Kurtit ka thënë se në pajtim me nenin 84 (14) dhe nenin 95.1. të Kushtetutës së Kosovës do të ndërmarrë hapat e përcaktuar në Kushtetutë për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.