30-05-2024

Kufiri Kosovë-Shqipëri/ Ndalohet çeku duke tentuar të fus armë në Morinë, dalin pamjet

Shërbimet e Policisë Kufitare- Morinë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të tentativës për të trafikuar armë në Shqipëri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Magnum”.

Gjatë operacionit, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndaluar për kontroll shtetasin çek M. B., që drejtonte një automjet tip “Land Rover”.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar: 1 armë zjarri pistoletë të mbushur me fishekë, municion luftarak për këtë lloj arme dhe armë të tjera, 4 thika, 2 biçakë, 1 sëpatë brezi dhe 2 bombola me lëndë të dëmshme (sprajt irritues).

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit, shtetasin M. B., 45 vjeç, banues në Republikën e Çekisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Asnjë koment

Comments are closed.