16-04-2024

Kurti për masakrën në Tusus: Kujtimet janë të freskëta, sepse plagët janë të hapura

Për këtë masakër ai ka thënë se ende nuk ka drejtësi dhe krimi i pandëshkuar është krim i vazhdueshëm.

“27 veta u vranë, më 26 maj, 20 vjet më parë. Kujtimet janë të freskëta, sepse plagët janë të hapura. Për masakrën në lagjen Tusus, ende nuk ka drejtësi, e krimi i pandëshkuar është krim i vazhdueshëm. Forcat serbe, para dy dekadave, përveçse vranë më të dashurit tuaj, ato edhe plaçkitën e pastaj i dogjën rreth 250 shtëpi të kësaj lagje. Kriminelët të cilët e urdhëruan masakrën e Tusuzit dihen me emër e me mbiemër, si dhe gradat e tyre policore e ushtarake”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se “Kroacia, një shtet po ashtu i dalë nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, e ka mundësinë ligjore për t’i gjykuar në mungesë kriminelët e luftës. Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale në Kosovë ka ngelur vetëm të votohet në lexim të dytë, mirëpo në mënyrë absurde po e vonojnë”.

“Pema e lirisë së Kosovës është mbjellur nga rezistencat dhe kryengritjet e popullit tonë përgjatë gjithë shekullit XX: paqësore e të armatosura, ilegale e legale. Mirëpo, kjo pemë është ujitur me gjakun e dëshmorëve dhe me djersën e punëtorëve. Pema është rritur e ka çelur, por nuk është as mirë dhe as e drejtë që lulet e pemës së lirisë të jenë për qytetarët, kurse frutat e pemës së lirisë për pushtetarët. Pra, pema e lirisë është bërë si një aromë e këndshme për popullin, të cilit i mpihen dhëmbët meqenëse s’ia japin frutat”.

Më tej, Kurti ka thënë se “liria pa barazinë, liria me privilegje për disa e me diskriminim për shumicën, liria që nuk është liri për të gjithë, nganjëherë nuk është liri e plotë e nganjëherë as liri e vërtetë. Martirët e dëshmorët dhanë gjithçka për popullin, të cilit ende i mungon shumëçka. Askush sot, ama bash askush, nuk ka të drejtë të flas për pajtim me Serbinë në emër të motrës së dëshmorit Selver Maqkaj, Fazile Maqkajt, e cila u dogj e gjallë brenda shtëpisë së saj e në karrocë invaliditeti”.

“Dëshmorët e martirët, viktimat e luftës e ata që ranë për liri, nuk i kanë asgjë borxh atdheut. Kurse, shteti ynë iu ka shumë borxh atyre, edhe për shkak se nuk ia kërkoi asnjëherë borxhin shtetit të Serbisë”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/

Asnjë koment

Comments are closed.