Kurti: Projekti hekurudhor Durrës-Prishtinë, ndër projektet më të mëdha të nënshkruara ndonjëherë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se projekti hekurudhor Durrës-Prishtinë, është ndër projektet më të mëdha të nënshkruara ndonjëherë.
Kreu i ekzekutivit kosovar foli edhe për importin me Shqipërinë, për të cilin tha se është rritur më shumë se asnjëherë më parë.
Këto deklarata Kurti i bëri gjatë një konference për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Duke shtuar bashkëpunimin në fushën e arsimit, turizmit, me marrëveshjet që nënshkruajmë ruajmë marrëdhëniet tonë. Kur shënojmë ditën e refugjatëve nuk mund se si të mos jem falënderues ndaj Shqipërisë. Ne kuptojmë lehtësimin dhe mbështetjen që na ka ardhur nga vëllezërit e motrat dhe miqtë tanë. Kosova dhe Shqipëria kanë trend të bashkëpunimit tregtar. Sot importojmë nga Shqipëria më shumë se asnjëherë më parë. Projekti Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha”, ka deklaruar kryeministri Kurti./IndeksOnline/