20-04-2024

Kurti viziton Suharekën: Ky virus është tinëzar, vetëm me disiplinë maksimale fitojmë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka vizituar sot Suharekën dhe Shtimen, ku gjatë takimeve me kryetarët e këtyre komunave Bali Muharremaj dhe Naim Ismajli është njoftuar në lidhje me gjendjen e krijuar për shkak të pandemisë me coronavirus.

Në Suharekë, kryetari Muharremaj njoftoi se gjendja është duke u menaxhuar suksesshëm dhe se të prekurit me coronavirus janë duke u monitoruar në vazhdimësi.

Sa i përket masave të reja të lëvizjes, ato po respektohen dhe po tregohen shumë efektive, është shprehur ai, transmeton Telegrafi.

Ndërsa, kryetari i Shtimes, Naim Ismajli tregoi se në komunën e tij deri tani ka qenë vetëm një rast me COVID-19, i cili është shëruar.

Ai ka thënë se masat e qeverisë dhe rekomandimet e profesionistëve të shëndetësisë për mbajtjen e distancës, pastërtisë dhe më të rëndësishmen qëndrimit në shtëpi janë arsyet e menaxhimit të mirë të kësaj situate në këtë komunë.

Kurti tha se qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm në përballjen me coronavirusin.

“Sukseset nuk duhet të na relaksojnë. Ky virus është tinëzar, prandaj ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Vetëm me disiplinë maksimale fitojmë. Duhet të jemi bashkë dhe të ndarë: bashkë në luftën kundër virusit, të ndarë nëpër shtëpitë tona për të fituar kundër virusit”, është shprehur Kurti.

Asnjë koment

Comments are closed.