22-11-2024

Kuvendarët prizrenas kërkojnë që Komuna t’ua paguaj shujtat mësimdhënësve pa “maltretime” nëpër gjykata

Dy kuvendare të opozitës: Agnesa Sinanaj (AKK) dhe Sherife Balaj (PDK) në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Prizrenit, kanë kërkuar që Komuna t’ua paguaj mësimdhënësve shujtat dhe pagat jubilare, sic kanë thënë pa i maltretuar ata nëpër rrugët gjyqësore, ku në dëm të buxhetit komunal po përfitojnë avokatët dhe përmbaruesit.

Sinanaj, ka propozuar që Komuna përmes mekanizmave të saj të intervenojë për t’i shmangur procedurat gjyqësore, pasi nga fillimi i procedurës, deri në momentin kur mësimdhënësi i merr të hollat, procedura zgjat deri 2 vite.

Balaj, ndërkaq ka thënë se një numër i madh i punëtorëve të arsimit po maltretohen për të fituar të drejtat e tyre.

“Shujtat po merren përmes përmbaruesit dhe secili mësimdhënës po paguan për marrjen e atyre mjeteve nga 100€ që shkojnë në dëm të buxhetit komunal, prej 3000 mësimdhënësve nga 100€ është shumë e madhe për të humbur”, tha ajo.

Shujta për mësimdhënësit është e garantuar me Ligj, ndërsa kompensimi llogaritet nga 18 prilli i vitit 2017.

Pas një angazhimi, tashmë disa mësimdhënës përmes gjykatës kanë arritur ta realizojnë të drejtën e tyre, por vetëm deri në vitin 2019,  ndërsa numri më i madh janë në pritje procedurave.

“Derisa Komuna e Prizrenit, që duhet të jetë shembull, nuk ka treguar ndonjë vullnet në këtë drejtim, më ka inkurajuar një vendim i komunës së Skenderajt, ku kryetari i saj sapo ka njoftuar se ka filluar ekzekutimin e pagesave për shujtat e mësimdhënësve dhe se kjo do të kryhet për një javë. Pra, kërkoi nga Drejtoria e Arsimit, sidomos nga kryetari Haskuka, që edhe vetë është mësimdhënës,  të mos i mundojë punëtorët arsimorë,  por t’ua lëshojë të hollat e tyre”, ka thënë Sinanaj.

Agnesa Sinanaj, ka thënë se paradoksi është se kjo po ndodh derisa, Komuna ka kthyer si suficit mbi 5 milion euro në Prishtinë.

Sipas saj meqenëse mësuesit edhe ashtu të drejtën e tyre do ta realizojnë,  atëherë pse ka nevojë që kjo çështje të shkojë nëpër gjykatë, dhe që Komuna nga buxheti i saj, pos shumës së paraparë gjithashtu të paguajë ekstra edhe shpenzime për përmbaruesit. “Nga kjo del se Komuna e Prizrenit për t’ua paguar parat mësuesve, përmes tyre po u bënë nder avokatëve e përmbaruesve”, ka thënë ajo./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.