24-11-2024

Kuvendi i Prizrenit mbajti mbledhjen e rregullt

Sot është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Prizrenit, ku janë shqyrtuar, debatuar dhe miratuar një mori pikash të rendit të ditës.

Me një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së heroit më të ri të Kosovës, Afrim Bunjaku, rresheterit policor i cili u vra nga bandat terroriste serbe në Banjskë, ka filluar kjo mbledhje.

Edhe në seancën e radhës të organit më të lartë legjislativ komunal, pika që ka dominuar mbledhjen ka qenë ajo që ka të bëjë me pyetjet e kuvendarëve dhe përgjigjet e ekzekutivit. Kuvendari i LVV-së, Ilir Gashi, ka folur për aksionin e lirimit të hapësirave publike në qytet nga Drejtoria e Inspektorateve, duke kërkuar që gjithandej ku ka uzurpime komuna të intervenojë. Lidhur me këtë çështje të ngritur nga kuvendari Gashi, është përgjigjur drejtori i Inspektorateve, Islam Ukimeri, i cili ka thënë se ky aksion do të jetë gjithëpërfshirës në qytet dhe se do të monitorohet në vazhdimësi gjendja pas intervenimeve që po bëjmë në lirimin e hapësirave publike.

Kuvendari tjetër i LVV, Tajar Susuri, ka kërkuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike për të realizuar projekte infrastrukturore në Zhur, të cilat sipas tij janë të nevojshme për përmirësimin e jetës së banorëve të këtij lokaliteti. Për këtë çështje, nuk është përgjigjur drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj, i cili ka përkrahur kryetarin, Shaqir Totaj, që mos të përgjigjet në pyetjet e kuvendarëve që nuk e kanë votuar buxhetin komunal. Përkundër mungesës së përgjigjes, drejtori Lamaj, tha se të gjitha kërkesat e paraqitura nga kuvendarët do të shqyrtohen.

Më pas, mbledhja ka vazhduar edhe me pikat tjera të përcaktuara për rendin e ditës së seancës së sotme./Tv Prizreni

Asnjë koment

Comments are closed.