05-10-2024

Lajmi i shumëpritur, Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash

Komisioni Evropian do të dalë me rekomandim pozitiv për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Këtë ia kanë konfirmuar “Kohës Ditore” burime brenda KE-së, duke thënë se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret që do të çonin drejt heqjes së regjimit të vizave për kosovarët.

Madje, këtë hap, zyrtarë të KE-së po e quajnë si kapitull të ri në historinë e përbashkët evropiane.

Komisioni Evropian me këtë rast i ka bërë thirrje Këshillit të Ministrave të BE-së dhe Parlamentin Evropian që të ndërmarrin hapat e duhur dhe të aprovojnë propozimin e tyre.

Ndërkaq, sot në orën 16:30, komisioneri Avramopoulos, bashkë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbajnë konferencën për media ku do të jepet lajmi për plotësim të kritereve për liberalizim të vizave.

Kadri Veseli, kryeparlamentar i Kosovës, pas takimit të sotëm me Mogherinin, tha se rekomandimi për liberalizim vizash është hapi i parë drejt hyrjes në fuqi të vendimit.

E kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Parlamenti Evropian, më 29 apo më 30 gusht do të mblidhet për të miratuar vendimin e KE-së, e më pas të shkojë edhe tek Këshilli i Ministrave të BE-së që të kalojë edhe në nivel të ministrave të Rendit, ku tha se do të jetë pak më vështirë, “por jemi me shpresë të madhe që me sot po e përmbyllim një temë shumë të rëndësishëm për qytetarët e vendit – lëvizja e lirë”./koha.net/

Asnjë koment

Comments are closed.