Liverpooli bën “mrekullinë” për të arritur finalen, Barça në shtëpi
Liverpooli e bërë mrekullinë sonte ndaj Barcelonës në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, transmeton zeri.info
Pas humbjes 3:0 në “Camp Nou”, anglezët bënë një paraqitje të jashtëzakonshme në “Anfield”, duke triumfuar me rezultatin 4:0 dhe duke siguruar finalen e kompeticionit elitar evropian për klube.
Liverpooli e filloi shumë më mirë takimin, duke kaluar në epërsi qysh në mintuën e 7-të.
Edhe Barcelona pati rastet e saj në pjesën e parë, por në 45 minutat e para nuk pati më gol.
Ndërkohë, pjesën e dytë vendasit e filluan edhe më furishëm, duke realizuar dy gola të shpejtë me anë të zëvendësuesit Georginio Wijnaldum në minutat 54’ dhe 56’.
Goli i dytë i holandezit u asistua nga Xherdan Shaqiri.
Ndërkohë, golin e fitores së madhe për “të kuqtë” e shënoi Divock Origi në minutën e 79-të, për ta mbyllur një natë “magjike” për anglezët./Zëri