Malishevë: Një person konfirmohet pozitiv me COVID-19 dy ditë pas vdekjes
Komuna e Malishevës ka njoftuar se një person është konfirmuar pozitiv me COVID-19, dy ditë pas vdekjes.
“Sot janë regjistruar pesë raste të reja me COVID-19 në Komunën e Malishevës, por njëri prej tyre, dy ditë pas vdekjes. Numri i rasteve aktive me COVID-19 në Komunën e Malishevës, është rritur në 39 raste, kurse numri i të vdekurve në 8 raste. Këto të dhëna sot janë konfirmuar nga IKSHPK në komunikim zyrtar me Komunën e Malishevës”, thuhet në njoftim.
Njoftohet gjithashtu se gjendja aktuale me COVID-19 në Komunën e Malishevës, është kjo: Nga 135 të prekur, 88 janë shëruar, 39 raste janë aktive dhe 8 raste kanë përfunduar me vdekje.
Rastet e sotme, të konfirmuara nga IKSHPK, janë: 1 rast në Malishevë, 1 në Lladrovc, 1 në Kijevë, 1 në Llazicë dhe 1 rast i konfirmuar dy ditë pas vdekjes në Shkozë.