05-05-2026

“Marca” shkruan për serinë pa gola të Vedat Muriqit

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, po kalon një edicion të jashtëzakonshëm në La Liga, ku ka shënuar 21 gola me fanellën e Mallorcas, duke u renditur menjëherë pas Kylian Mbappe, i cili ka realizuar 24 gola.

Megjithatë, “Pirati” i Mallorcas nuk ka shënuar që nga 12 prilli, kur realizoi në ndeshjen kundër Rayo Vallecanos, një periudhë që ka nxitur komente në mediat spanjolle.

Sipas mediumit të njohur spanjoll “Marca”, kjo është hera e parë gjatë këtij viti që Muriqi nuk ka shënuar në tri ndeshje rresht.

“Këtë seri të dobët ai e ka përjetuar vetëm një herë që nga fillimi i edicionit. Duhet të kthehemi te 4 tetori 2025, për të gjetur herën e fundit kur ai nuk arriti të shënonte gol në ndeshjen e tretë rresht. Nuk shënoi në humbjen ndaj Athletic Bilbaos në San Mames, ndërsa nuk shënoi as kundër Real Sociedadit në San Sebastian dhe ndaj Alavesit në shtëpi”, shkruan mediumi spanjoll.

Pavarësisht kësaj, Muriqi ka hyrë në histori si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve i Mallorcas në La Liga, duke arritur në kuotën e 55 golave dhe duke tejkaluar 54 golat e Samuel Eto’os.


“Sulmuesi nuk ka shënuar që nga ajo fitore historike kundër Rayo Vallecanos. Jo vetëm që ka qenë më pak i rrezikshëm para portës në ndeshjet kundër Valencias, Alavesit dhe Gironas, por performanca e tij e përgjithshme ka rënë gjatë muajit të kaluar. Ai po fiton më pak duele ajrore se zakonisht, kontrolli i topit nuk është i duhuri dhe duket se i mungon energjia. Ai po kalon një rënie krejtësisht të kuptueshme në formë”, shkruan “Marca”.

Deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe katër xhiro në La Liga.

Mallorca në fundjavë luan në shtëpi ndaj Villarrealit, më pas në udhëtim ndaj Getafes, ndeshjen e parafundit e zhvillon kundër Levantes, ndërsa sezonin e mbyll në shtëpi ndaj Oviedos.

“Muriqi ka edhe disa ndeshje për t’u rikthyer në rrugën e duhur, për të provuar të zë me gola Mbappen, i cili tashmë ka 24 gola dhe mund të jetë duke e marrë veten në ndeshjet e ardhshme, me Kupën e Botës në mendje. Mundësinë e parë e ka kundër Villarrealit. Nëse nuk arrin ta bëjë këtë, kjo do të shënojë serinë më të gjatë të mungesës së golave të edicionit 2025/26”.

Asnjë koment

Comments are closed.