03-12-2024

MASHT-i nis t’i risistemojë drejtorët e larguar

Shtatë muaj pasi i largoi nga pozitat e drejtorëve të departamenteve, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka nisur t’i sistemojë në pozita të tjera disa nga të larguarit. Në tetor të vitit të kaluar, MASHT-i duke u bazuar në Rregulloren e re për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës i kishte larguar 32 persona nga pozitat e drejtorëve të departamenteve dhe udhëheqësve të divizioneve. Në vend të tyre ishin caktuar ushtrues detyre.

Burime të gazetës kanë konfirmuar se të hënën pasdite, sekretari i MASHT-it, Ekrem Kastrati, ua ka përcjellë nga një email disa drejtorëve të larguar duke u propozuar pozita të tjera. Sipas burimeve, disa që kanë qenë drejtorë janë propozuar sërish për të njëjtën pozitë, por vetëm u është ndërruar departamenti, e disa të tjerë janë propozuar për shefa të divizioneve me arsyetimin se nuk i plotësojnë kriteret për drejtor. Në email është kërkuar që secili ta konfirmojë nëse e pranon pozitën e propozuar, shkruan sot Koha Ditore.

“Ju lutem të na e konfirmoni se a jeni të gatshëm që ta pranoni këtë emërim në pozitën e propozuar”, thuhet në njërin nga emailat, të cilin e ka siguruar gazeta.

Që nga tetori i vitit të kaluar departamentet dhe divizionet kanë mbetur me ushtrues detyre. Madje që nga ajo kohë MASHT-i është duke i paguar me pagë të njëjtë edhe të larguarit, edhe ushtruesit e detyrës, duke shpenzuar mijëra euro në muaj.

Gazeta ka kërkuar sqarime në MASHT rreth iniciativës për risistemimin e drejtorëve, por këshilltari për media në këtë ministri Valmir Gashi ka thënë se pasi të përfundojë procesi çdo gjë do të bëhet publike, duke mos dhënë detaje. Ai po ashtu nuk është përgjigjur tash e disa ditë përse MASHT-i po i paguan me pagë të njëjtë nga dy persona për të njëjtën pozitë.

Asnjë koment

Comments are closed.