17-05-2024

Mbrohet në heshtje Tasiq, i akuzuari për krime lufte kundër popullatës civile në Krushë të Vogël

I akuzuari për krime lufte, Darko Tasiq ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Ai po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka kryer krime lufte kundër popullatës civile të fshatit Krushë e Vogël, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, deklaroi se shqyrtimi kryesor për këtë rast duhet të rifillojë, meqenëse kanë kaluar tre muaj pa u mbajtur asnjë seancë për shkak të pandemisë Covid-19.

Në këto rrethana, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Drita Hajdari, i akuzuari Tasiq është deklaruar përsëri i pafajshëm, duke shtuar edhe se do të mbrohet në heshtje.

Deri të mbrojtja e të akuzuarit erdhi pasi, palët u pajtuan se nuk ka nevojë që përsëri të ftohen dëshmitarët për të dhënë dëshmitë e tyre, e i cili propozim u aprovua nga trupi gjykues.

Paraprakisht, është dhënë fjala hyrëse, gjatë së cilës prokurorja Hajdari deklaroi se qëndron në tërësi pranë aktakuzës dhe fjalës së saj hyrëse nga  hera e kaluar dhe se konsideron se në bazë të provave të administruara në shqyrtimin gjyqësor, vërtetohet se i pandehuri Darko Tasiq ka kryer veprën penale të ngarkuar me aktakuzë.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ljubomir Pantoviq deklaroi se mbetet pranë fjalës hyrëse të cilën e ka dhënë në shqyrtimet e kaluara dhe se konsideron që provat në të cilat bazohet aktakuza, nuk vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit.

Tutje, kryetari i trupit gjykues bëri leximin e deklaratave të dëshmitarëve dhe shkresave të lëndëve.

Pas kësaj, seanca u ndërpre për të vazhduar me fjalën përfundimtare me 17 qershor, në ora 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së PSRK-së, me të cilën i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të komunës së Rahovecit.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.