26-04-2024

Me sinqeritet në edukimin dhe arsimimin e nxënësve

Shkruan: Hajdar Mallaku

Duke e përcjellë mbesën time për në shkollë dhe anasjelltas, prej klasës së parë deri në klasën e pestë të shkollës fillore të ulët, u ktheva dhe një herë në jetën time fëmijërore, të kaluar para gjashtëdhjetë e gjashtë vjetësh dhe njëherit hyra në jetën e sime mbesë.

Jo më kot thuhej se njeriu dy herë bëhet fëmijë: një herë në fëmijërinë e tij dhe një herë në pleqëri.Thuhet në pleqëri për shkak të paaftësive të tij si plak, për shkak të nazeve, për shkak të kurreshtjes dhe lakmisë, por unë u bëra fëmijë se e përdorja gjuhën e saj, se e bartja çantën e saj, se i bënim dëtyrat bashkë( unë i sqaroja diçka dhe ia vërtetoja kur e kishte mirë), se e këshillonim njëri tjetrin, se duhej t’u përgjigjesha njëmijë pseheve të saj etj. Duke e krahasuar jetën time fëmijërore me të saj i kujtoja ndryshimet që janë shumë, shumë të mëdha, si në veshje, si në rekuizitat shkollore(ne kishim një trastë(krahoshë) të qepur me dorë, me një bilan(gajtan) për ta varur krahaqafë e në të abetaren, një fletore, një laps grafit dhe një gomë që shpesh, kur humbte, e zëvendësonim me gisht… dhe kaq), si në moshën e startimit për në shkollë( fillonim atëherë si shtatë vjeçarë dhe me gjashtë ditë pune në javë), si dhe me pargatitjet paraprake(mbesa filloi klasën e parë gjashtë vjeçare dhe kishte vijuar çerdhen e fëmijëve). Dhe jo vetëm këto,  por vetë jeta e saj në mes prindërve të shkolluar, librave, radios, televizorit, internetit e kishin ngrituar atë në nivel të përsosur. Ndërsa ne këto nuk i kishim.

Ajo që  më sfidoi në fillim qe çanta e saj e cila erdhi duke u rënduar sa në klasën e pestë mezi e çoja. Shumica prej prindërve ua bartnim çantat, por kishte dhe të tillë që vetë i bartnin dhe dukja e tyre të brengoste: vetë me trup të hajthëm, ndërsa çanta e madhe dhe e rëndë si trastë marinarësh.

Problemi i teksteve nuk u zgjidh sot e kësaj dite: tekstet nuk u përshtatën me kurrikulën e re tash e pesë vjet, nuk u evitua laramania e botimit të teksteve për të njëjtën klasë nga tri shtëpi botuese, nuk u evitua ngarkesa me dëtyra në tekste(gjuhë, matematikë etj.), nuk u evituan përsëritjet e të njëjtave njësi në disa klasë(p.sh. Rozafati).Vërejtjet e bëra nga shkollat dhe vetë arsimtarët kurrë nuk u morën parasysh. Komisioni për rishikimin dhe rivlerësimin e teksteve shkoi të punojë në bregdet në një klimë kurative për arsimin e sëmurë. Urojmë që ta shërojnë!

Ky vëllim kaq i madh i çantave është i paracaktuar nga numri i madh i librave për një lëndë, si ishte rasti  në gjuhën shqipe ku për klasën e pestë kishte tre libra: 1. Flutura Çitaku, Rita Petro, Munish Hyseni: Gjuha shqipe dhe leximi 5, Albas; 2. Xhevat Syla: Leximi(gjuhë shqipe dhe  letërsi),Libri shkollor dhe 3. Bahri Beci: Gjuhë shqipe, Dukagjini, 2007, duke iu shtuar këtyre edhe fletoret e punës dhe të dëtyrave. Mirë që ka tekste alternative, por këto duhet të reduktohen  dhe të jenë të lejuara nga Ministria e Arsimit, me fletë më të holla, të përdoren në të gjitha trojet shqiptare, të bëhen tekste kombëtare shkollore(si është rasti me Abetaren) dhe të hartohen nga grupe autorësh profesionalë, me pjesëmarrje të Ministrisë, ekspertëve shkencorë, psikologut dhe arsimtarëve. Të kërkohen dhe rrugë të tjera që tekstet e vjetra të përdorën në shtëpi, ndërsa të rejat në shkollë dhe të ruhen në rafte. Ose, kur bëhet mësimi tërëditor, mësimi shtesë dhe dëtyrat të bëhen në shkollë, pasi nuk jemi ne si Danimarka ku nxënësit nuk kanë dëtyra shtëpie. Ka dhe një mundësi, sipas mendimit tim, që të hartohen tekste në formë dosjeje ku një mësim( një fletë apo dy) me porosinë e arsimtarit të hiqet nga dosja(me mbështjellës) dhe të përdoret në shkollë më leht dhe të kthehet pastaj në dosje kur kryhet puna. Ose dhe fotokopjimi i mësimeve nga mësuesi apo prindërit. Kjo e fundit ka dhe probleme se fletat mund të humbasin, të shqyhen, prandaj duhet përkujdesje e madhe. Një ditë madje duhet të krijohen dhe tekste të dixhitalizuara, përdorimi i të cilave do të bëhet përmes kompjuterit. Për këtë problem më mirë është të mendojnë ekspertët e dizajnimit që do të mendojnë edhe për peshën fizike të çantave dhe librave, por ja që gjatë punës këto probleme  të bien në sy.

Problem tjetër është programi dhe plani mësimor, sot kurrikula që disa e lavdërojnë, ndërsa të tjerët thonë se ka dështuar( curriculum- përshkrim i punës). Edhe pas njëzet vjetësh nuk jemi stabilizuar ende  që ta kemi një platformë bazë që ta realizojmë në disa etapa, por secila Ministri që vjen në pushtet bën improvizime, rikualifikime formale, trajnime, huazon projekte të vendeve të zhvilluara, ndërsa mundësitë tona janë të vogla dhe dështojmë radhazi. Brengosës është dhe fakti se rezultatet e testeve të arritshmërisë ishin nën nivelin e vitit të kaluar.

Edhe përmbajtaja e teksteve është problem në vete: kanë gabime shkencore, gabime logjike, gabime teknike, kanë pyetje të pakuptimta, të panevojshme sa për ta shtuar numrin e tyre dhe nuk presin një përgjigje me rëndësi për mësimin. Poashtu niveli i nohurive nuk pajtohet me nivelin fizik dhe psikik të nxënësve. Nxënësi i klasës së pestë , bie fjala, duhet ta kuptojë funksionin dhe kuptimin gramatikor të mbaresës për numër, gjini, rasë, trajtë, vetë, kohë etj., t’i kuptojë bashkimin e trajtave të shkurta të përemrave, veçmas trajtat e shkurta të përemrit vetor në rasën dhanore dhe  kallëzore i dhe e që shërbejnë në sintaksë si kundrinorë, ose përsëritës të kundrinorit të zhdrejtë dhe të drejtë, lakimin e përemrave pronorë apo dhe të zgjedhimit të foljeve. Kjo gjë ndodh dhe te disa trope dhe figuara poetike si simboli, metafora, epiteti etj.

Dëtyrat e shtëpisë jepen me shumicë dhe në disa lëndë në të njëjtën ditë, sa nuk i lënë kohë të lirë për pushim as fëmijës, as edhe prindit, i cili dëtyrohet të përqëndrohet seriozisht në kryerjen e tyre. Jepen dëtyra gramatikore në morfplogji dhe sintaksë deri në dy faqe libri. Dhe unë jam i bindur që jo edhe vetë mësuesit, të gjithë, i dinë këto se nuk janë ekspertë lëndorë, por klasorë.

Letërsia shkollore si segment i veçantë  poashtu e do një përkujdesje serioze. Ajo sipas kurrikulës së re i është lënë mësuesit që ta zgjedhë, nuk ka ndonjë orientim si përpara. Dhe këtu qëndron problemi. Po e marr si shembull një vepër të Letërsisë mësimore nga klasa e parë e shkollës fillore të ulët nga autori Skënder Hasko: “Vallja e shkronjave”, Shtëpia botuese, Shtypshkronja “Berati” në Prizren, libër i përgatitur dobët për këto arsye: me ilustrime që mezi dukën  si ndonjë fotokopje tragjike, me vjersha njëstofëshe kushtuar secilës shkronjë, botuar me shkronja të vogla sa me zor mund t’i lexojë dhe një i rritur dhe me plot gabime teknike e drejtshkrimore.

Shembuj: mesuesja (mësuesja – faqe 3); bi, lavdrojmë(bie, lavdërojmë -4);fluturojme (fluturojmë-5); bi(bie- 6); zhurme (zhurmë-7);kujt(kush -9); shkronja I në vend i-10; fishekzarët(fishekzjarret-,shkronja I në vend i-11);gershera (gërshëra -12);të mbanë të ri(të mban -13); anembanë vendin tim (anembanë vendit tim-14);nu, frik (nuk, frikë-15);xhemba, nenat(gjemba, nënat -16);kuzhinieri (kuzhinieri -17);të afroht,nihet( tëafrohet, ndihet-20); përdor(përdorë, rrjrtë-21); tone(tonë -22);haron(harron -23);shohimpakëz(shohim pakëz -24); shokët(shokë -25);ne, tradhtar(në, tradhëtarë-26; përveq(përveç-27); mburet, s’kasi(mburret, s’ka si 28);ne, rrethe(në, rreth e-29);me, thëret(më, thërret-30);ne(në-31);çiron, nlë(çirret,në -32);motor, vrapon(motor,vapor-33);fluturron-Fluturon -34);kryka(gryka -35);lirin(larine-36);ne(në-38). Te përmbajtja:fishekzarët, ngjalla, thellenza, yjt, zjaret( fishekzjarret, ngjala, thëllënza, yjet, zjarret-39). Kjo vepër nuk është lejuar nga Ministria e Arsimit për përdorim shkollor.

Unë vërejta poashtu se mësuesi në klasën e pestë u kish dhënë dramën e Josip Relës “Nita”, edhe pse mirë shkruan në këtë vepër se është letërsi shkollore për klasën e shtatë. U pajtova disi se, megjithatë, kjo vepër është e pranueshme dhe e kuptueshme edhe për këtë klasë, por kur vërejta se mësuesi u kish dhënë veprën “Plaku dhe deti” të Ernest Heminguejt, u befasova. Kjo vepër është temë dhe letërsi shkollore për kl. IV gjimnaz(të gjimnazit klasik) ose tash për klasën e 12-të shkollës së mesme të lartë. A e ka lexuar mësuesi apo e ka dhënë si letërsi shkollore vetëm për shkak të vëllimit të vogël( vepra ka vetëm 88 faqe), unë nuk e di. Si do ta shpjegojë nxënësi i kësaj moshe kuptimin shoqëror, filozofik, ekzistencial, fetar etj. të veprës, është çeshtje. Nëse ka menduar se gjërat mund të rimerrën, duke i krahasuar me mësimet tjera, psh. me Naimin që mund të mësohet prej klasës së parë (nga diçka e vogël-  p.sh. vetëm një strofë nga poezia “Gjuha jonë” deri në të dymbëdhjetën kur mësohen gjërat e mëdha “Lulet e verëse”, “Bagëti dhe  bujqësi”, “Histori e Skënderbeut” etj. Ky është rast tjetër. Prandaj kujdes !

Gjëja më drastike ishte vetë libri i letërsisë shkollore “Plaku dhe deti” i Ernest Heminguajt, botuar nga shtypshkronja “Berati”, Prizren, 2013, me redaktor Arbër A. Rexhaj. Këtë vepër e kishte blerë mbesa dhe unë e lexova edhe një herë, s’di për të satën herë, duke e krahasuar me përkëthimin më të ri bërë nga gjuha angleze nga Ismail Kadare.

Libri fillon me një parathënie nga vetë redaktori, Arbër A. Rexhaj, me titull “Rrëfimi për peshkatarin” e cila të lë përshtypjen se është shkruar pa një përqëndrim të duhur, pa u peshuar mirë se është libër publik dhe u është dedikuar nxënësve për letërsi shkollore(jo lektyrë shkollore, se  fjala lektyrë nuk ekziston në fjalor, përpos fjalës lektor) dhe se nga kjo ata duhet të mësojnë gjuhën e ëmbël dhe të kuptueshme për ta, sintaksën e fjalisë, drejtshkrimin, leksikun, tropet, figuat letrare etj. Ja disa nga këto gabime drejtshkrimore: ta ndiej( ta ndjejë të nxehtit); i pasherrë(të pasherr); vision(vizion);ëndërra( ëndrra); ta pengoj(duhet ta pengojë-veta e tretë njejës e kohës së tashme të lidhorës); të udhëtoj (të udhëtojë); tetëdhjetëekatër ditë(tetëdhjetë e katër ditë); do t’i ik( nuk do t’i ikën);për peshkimin( imagjinatë për peshkim);ndenjën(ndjenjën estetike).

Gjen lexuesi në këtë parathënie dhe shumë gabime materiale: p.sh. kënaqësinë e zënies së balenave; grabitjen e balenave; ngrënien e balenave nga peshkaqenët; plaku më në fund zë balena; megjithëse rrugës zhvatet nga peshkaqenët, të cilët vijnë pas gjakut të balenave; madje edhe pse plaku më në fund zë balena, sërish kthehet i fundosur dhe i lodhur.

Askund në vepër nuk përmendet fjala balenë. Plaku gjuan peshq dhe i shet për ekzistencë. Ai e zë një peshk nga familja e peshkshigjetës, Marlin, të cilin ia hanë peshkaqenët, kthehet i mundur dhe fitimtar, por jo i fundosur. “Plaku dhe i riu janë dy botë të kundërta”. Nuk janë botë të kundërta, por partnerë që ia kanë nevojen njëri-tjetrit. Plakut i mungon forca, ndërsa djaloshit përvoja. Botë të kundërta janë plaku dhe deti. Njeriu plaket, ndërsa natyra mbetet e njëjtë.

Askund në vepër nuk përmendet fjala futboll, por bejsboll- adhurohet bejsbollisti Di Maxhio. Autori i parathënies e përmned gabim si futboll amerikan.

Askund në parathënie nuk përmenden përsonazhet:Plaku Santiago, djali Manolin, Pedroja etj. Madje nuk përmendet as çmimi Nobel të cilin e ka marrë autori i librit.

Edhe struktura e fjalive është për t’u vajtuar. P.sh. “Kjo vepër e autorit ndonëse për nga subjekti i thukët, por i thellë në rrëfimin e një bote e cila rropatet pas ekzistencializmit”. Duhet: Kjo vepëre e autorit, ndonëse për nga subjekti është e thukët, është e thellë edhe në rrëfimin e një bote e cila rropatet pas ekzistencës.

Apo: “Përmes përshkrimit autori ndonëse jep një rrugëtim të zakonshëm por i cili bëhet i jashtëzakonshëm me veçantitë dhe teknikat e përshkrimit fascinant të autorit”. Duhet: Përmes përshkrimit, autori, ndonëse jep një rrugëtim të zakonshëm, ai rrugëtim bëhet i jashtëzakonshëm me veçantitë dhe mënyrën e përshkrimit çudibërës të autorit.

Apo: “( duhet shtuar në fillim fjalën “është kjo”) “Aventura e kërkimit dhe kthimit nga vendi i nisur” Fjali e mbetur pezull”. Është kjo aventura e kërkimit dhe e kthimit nga vendi i nisur.

Apo” I riu i cili udhëton me plakun përfaqëson një botë thellësisht të drejtë (pse plaku jo, a?), me përplot ëndëra  për të ardhmen, për një jetë më të mirë, për një jetë më të bardhë”. Duhet: I riu, i cili udhëton me plakun, përfaqëson një botë thellësisht të drejtë, me përplot ëndrra për të ardhmen, për një jetë më të mirë, për një jetë më të bardhë.

Janë abstrakte për moshën e tyre epitetet: det i vezullueshëm; botë kaltëruese; përshkrim fascinant; jetë (më) të bardhë.

Është fjalor abstrakt për moshën “për lexuesit fëmijë” si i quan ai vetë:rropatje, ekzistencializëm, shënjon, vezullim, fascinant, koherencë, i padjallëzuar, naiv, vision(vizion), zhvatje, aventuresk, kërshëri, ndjenjë estetike.

Më në fund ka gabime teknike dhe drejtshkrimore që janë me qindëra e me qindëra. P.sh. rradhë-faqe 12(radhë), rymën-12(rrymën), e andruar-17( e ëndrruar), pot ë pres-18, por sit y nuk ka -19, pot ë mos llogaritësh-23, praën bregut- 26, makrelëmendoi plaku(makrel mendoi plaku-27, qnotonte, peshkatarëtmbajnë,-Hq, të lutem-32, me zq të lartë-38, po si ngërçi s;ka -45.të më mendoj ndryshe nga ç’ja në të vërtetë-46, Të mos sulmuan(të mos sulmojnë)-49, ishte i rid he(ishte i ri dhe…), të mos sgqetësonte peshkun…f-55, po grepit s’kishte ç’ti vinte se sa dele ishin tharë(sardelet ishin tharë dhe jo delet)-68, kurrix(kurriz), ti tekej(t’i), ëprpara(përpara), ëpr shumë gjëra(për shumë gjëra)- 73, pehsku peshku), it ha(i tha)-77; Eshkaqeni(peshkaqeni-79,t’i visja(t’i vrisja) gjymova kogja – gjymtova mjaft( aspak letrare)-80; fat ii vjen njeriut-81(fati I vjen njeriut), skeleton(skeletin).

Në fillim të fjalisë fillohet me shkronjë të vogël: -e di çduhet bërë me to-( E di ç’duhet bërë me to -87); përveq(përveç), asunë(as unë) –f. 87, 88.

Kjo vepër nuk ka shënime se nga cila gjuhë është përkthyer, kush është autori i përkthimit, në cilin vit është përkthyer, nuk ka shënime se është lejur të përdoret si letësrsi shkollore nga Ministria e Arsimit dhe, megjithatë, shitet dhe përdoret në shkolla.

Nuk desha t’i mohoj rezultatet në arsim, por kur është fjala për të, duhet ta kemi kujdesin maksimal. Ku gjenden nxënësit, prindërit, arsimtarët, Ministria e Arsimit në këtë mes dhe sa bashkëpunojmë për rezultate më të mira. A japim inisiativa, a reagojmë ndaj mossuksesit, a e dinë nxënësit se janë nxënës, a po e ruan familja autoritetin familjar apo është në krizë(prindërit deklarojnë në mbledhje se kanë hequr dorë nga fëmijët e tyre !-tmerr), arsimtarët a po e explorojnë në maksimum 45 minutëshin e orës mësimore apo me metodat kinse bashkëkohore dhe vetëm  me testime formale  e hudhin në periferi nxënësin, a po përdorën kabinetet mësimore dhe puna praktike në to, eksperimentet, a po përdorën dhe a po krijohen mjete mësimore të reja, a po i zgjedhim ministrat nga ata që i duhen arsimit e jo partive politike, a po e vëmë paranë publike të taksapaguesve vërtet në funksion të dijes, apo po e hargjojmë ashtu si po hargjohet mandati i ministrave?

Nuk është mirë që kemi aq pak emisione shkollore në televizione, aq pak debate, aq pak shkrime në gazeta, aq pak diskutime në Asambletë Komunale, në Parlamentin e Kosovës nga të gjitha palët e sidomos nga punëtorët e arsimit. Thuase jemi mësuar t’i pranojmë gjërat si na servohen: na pëlqejnë apo nuk na pëlqejnë dhe themi: “Hajt se e di babai si do të fle me nënën”. Ndërsa Ministria i ngjet atij rrobaqepësit fierak. Një djalë shkoi te rrobaqepësi për t’i prerë rrobat e dhëndërisë.  Rrobaqepësi e pa para dere dhe pa ia marrë masën i tha: “Mos hyr fare në dyqan! Shko në shtëpi e eja nesër e merri rrobat, se ta mora masën!”

 

Asnjë koment

Comments are closed.